Tërmeti i cili preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ka sjellë dëme të rënda. Jetë të humbura, qindra të lënduar, shtëpi të rrënuara, fëmijë të traumatizuar. Shqipëria është në zi. Nga i madh dhe te i vogël nis të lotojë kur dëgjon dhjetëra historitë, rrëfimet e trishta për ata që sot nuk jetojnë më. I ftuar në emisionin ‘Historia ime’, në Tv Klan, drejtuesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari përlotet teksa lexon një mesazh. Ku bëhej fjalë për një qytetar i cili kishte humbur të afërm të tij si pasojë e tërmetit. Dhe kërkonte ndihmë për organizimin e shërbimeve funerale.
“Shqipëria është e varfër dhe ky tërmet e bëri edhe më shumë të varfër,” tha mes lotëve Hajdari.
Por, ashtu siç të gjithë lëngojmë, ashtu edhe shqiptarët anë e mbanë botës janë bërë bashkë. Të gjithë kanë ofruar ndihmën e tyre në mënyra të ndryshme. Veç njerëzve të biznesit, atyre publikë, edhe njerëzit e thjeshtë kanë dhënë nga vetja e tyre për të prekurit nga tërmeti. Kjo gjë vërtetohet më së miri edhe në donacionet që mijëra njerëz janë duke bërë në llogarinë e hapur nga fondacioni “Fundjavë Ndryshe”. Nëpërmjet platformës online në GoFundMe, deri më tani janë grumbulluar më shumë se 1.5 milionë dollarë. Të cilat do të përdoren për ndërtimin e shtëpive të njerëzve të prekur nga tërmeti fatkeq.
Gjatë emisionit, Hajdari foli edhe për abuzimet që janë bërë nga individë të caktuar me ndihmat për të prekurit e tërmetit. Ndërsa bëri thirrje që kushdo që bën donacione, t’i shkojë deri në fund e të shoh se ky ato dhurime shkojnë./ TIRANA TODAY