Disa e quajtën revolucion, të tjerët kryengritje. Në çdo rast ngjarjet midis 23 tetorit dhe 4 nëntorit 1956, janë një faqe e ndritur në historinë e Hungarisë. Qindra mijëra njerëz, u rebeluan nga Budapesti në mbarë vendin ndaj udhëheqjes komuniste të vendit, dhe diktatit që ushtronte Bashkimi Sovjetik.
Ishte një kryengritje, që u pasua nga disa ngjarje të ngjashme në Poloni në qershorin e atij viti, dhe Gjermaninë Lindore në vitin 1953, pak javë pas vdekjes së diktatorit sovjetik Josif Stalin. Ishte një kryengritje, që mjerisht nuk u kopjua nga shqiptarët që ngjashëm vuanin nën zgjedhën komuniste.
Ndryshe nga tentativa e dështuar, por gjithsesi heroike e hungarezëve, në Shqipëri denoncimi i Nikita Hrushovit ndaj kultit të individit të Stalinit, u shoqërua me zhvillime vetëm në gjirin e PPSH-së. Ironikisht, ajo i shërbeu Enver Hoxhës për të forcuar më tej pozitat e tij, përmes spastrimit të radhës.
Në fillim ai nxiti “kritikat e shëndosha” që u bënë në Konferencën e Tiranës. Por pak ditë më vonë, ata që guxuan të kritikonin udhëheqjen, e pësuan keq. Morën vërejtje të rënda, u përjashtuan nga partia, apo akoma më keq, u burgosën dhe internuan.
Po si u krijuan kushtet për atë kryengritje? Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hungaria ishte aleate e Gjermanisë naziste dhe Italisë Fashiste. Në fund të luftës, ajo u pushtua nga Ushtria e Kuqe sovjetike, dhe u la nën ndikimin e Moskës. Gjithsesi në vitet e para, ajo ruajti pamjen e një demokraci shumëpartiake.
Zgjedhjet e vitit 1945, prodhuan një qeveri koalicioni, nën drejtimin e kryeministrit Zoltan Tildit. Por Partia Komuniste Hungareze, edhe pse mori vetëm 17 për qind të votave, bëri çmos që të sabotonte punën e qeverisë. Në qeveri ajo mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, e cila kishte nën varësi Policinë Hungareze të Sigurimit të Shtetit (AVH).
Ajo përdori shantazhin, akuzat e fabrikuara, burgosjet dhe torturat për të shtypur çdo lloj disidence politike. Pluralizmi mori fund në vitin 1949, kur Partia Komuniste u bashkua me Partinë Socialdemokrate, për të krijuar Partinë Popullore Hungareze të Punës. Ajo shpalli themelimin e Republikës Popullore të Hungarisë.
Sapo morën të vetëm pushtetin, komunistët nisën një shtetëzim kombëtar dhe radikal të ekonomisë, bazuar në modelin sovjetik. Shkrimtarët dhe gazetarët, ishin të parët që kritikuan hapur qeverinë dhe politikat e saj. Shumë aktivë ishin edhe studentët. Ndërkohë në vitet 1950-1952, policia sekrete zhvendosi me forcë mijëra njerëz, për t’u marrë prona dhe banesat, të cilat iu dhanë anëtarëve të Partisë së Punës.
Mijëra kundërshtarë u arrestuan, torturuan, u gjykuan dhe u burgosën në kampe përqendrimi, u internuan në lindje të vendit, ose u ekzekutuan. Në vetëm 1 vit, më shumë se 26.000 njerëz u dëbuan me dhunë vetëm nga Budapesti. Shumë njerëz, vdiqën si pasojë e kushteve të këqija të jetesës dhe kequshqyerjes.
Ndërkohë, standardi i jetesës ra, të ardhurat familjare u ulën ndjeshëm, në krahasim me periudhën e para luftës. Keq menaxhimi krijoi mungesa kronike të produkteve ushqimore bazë. Kjo solli shpejt racionimin e bukës, sheqerit, miellit dhe mishit. Pakënaqësia e qytetarëve, po rritej nga dita në ditë.
Pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, shumica e partive komuniste evropiane ndërmorën një lloj reformimi. Në Hungari, reformatori Imre Nagi zëvendësoi në krye të qeverisë stalinistin Matjash Rakosh. Gjithsesi ky mbeti sekretar i përgjithshëm i partisë, dhe ia doli të sabotonte pjesën më të madhe të reformave të Nagit.
Pas fjalimit sekret të Hrushovit në shkurtin e vitit 1956, ku denoncoi kultin e Stalinit dhe krimet e tij, Rakosh u shkarkua nga detyra në korrik, për t’u zëvendësuar nga Erno Gero. Në qershor 1956, një kryengritje e dhunshme e punëtorëve të Poznanit në Poloni, u shtyp me gjak nga qeveria, ku gjetën vdekjen dhjetëra protestues.
Gjithsesi në tetor komunistët polakë vendosën në krye reformistin e rehabilituar Vładisllav Gomułka, që në fillim të tetorit ia doli të marrë disa lëshime nga Bashkimi Sovjetik, përshirë reduktimin e trupave sovjetike në vend. Ky lajm i entuziazmoi hungarezët.
Pasditen e 23 tetorit 1956, mijëra protestues të prirë nga studentët, u mblodhën në qendër të Budapestit. Ata kërkuan që Hungaria të jetë e pavarur nga të gjitha fuqitë e huaja, dhe të kishte një sistem politik demokratik. Një përfaqësi e tyre, u nis t’i transmetonte këto kërkesa përmes radios shtetërore.
Por aty pati përplasje me forcat e policisë, që hapën zjarr mbi turmën, duke shkaktuar të vrarët e parë. Kaq mjaftoi që situata të ndizej. Më pak orë në gjithë Budapestin nisën protesta. Kudo po digjeshin simbolet komuniste, u rrëzuan përmendoret e Stalinit. Në qytetet e tjera u ngritën këshillat revolucionarë, teksa qytetarët po armatoseshin si të mundnin. Gero kërkoi ndihmë nga Moska, e cila urdhëroi hyrjen në Budapest të divizionit të saj të tankeve.
Më 4 nëntor, rebelimi u shtyp. 2500 hungarezë dhe 700 ushtarë sovjetikë gjetën vdekjen. Mijëra të tjerë u plgosën. Në javët dhe muajt në vazhdim, 26.000 njerëz dolën para gjykatave. 229 prej tyre u dënuan me vdekje, të tjerët u dënuan me burg ose u internuan.
Ndërkohë mbi 200 mijë të tjerë u larguan nga vendi si refugjatë. SHBA dhe vendet perëndimore, e përkrahën hapur kryengritjen, por vetëm kaq. Një rezolutë që kritikonte ndërhyrjen e ushtrisë sovjetike, u rrëzua në OKB pas vetos së Moskës. Në kulmin e dëshpërimit, kryengritësit kërkuan ndihmën ushtarake të SHBA-së.
Por ajo nuk erdhi kurrë. Një studim i Departamentit të Mbrojtjes, i de-klasifikuar kohët e fundit nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare, sugjeron se një nga arsyet pse SHBA-ja nuk ndërhyri, ishte rreziku i fillimit të një një lufte bërthamore me Bashkimin Sovjetik./ TIRANA TODAY