Deputeti demokrat Belind Këlliçi, ka bërë publike shifrat e delegatëve të pranishëm në “Air Albania,” të cilët kanë vendosur pro mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Këlliçi pohoi se në stadium ndodhen 4934 delegatë firmëtarë, të cilët tejkalojnë kuorumin e nevojshëm prej 3824 firmash, duke i dhënë Kuvendit fuqi vendimarrëse.
“Ky numër është më i madh se kuorumi nevojshëm, pra 3824 është numri minimal i pjesëmarrësve. Ndaj deklaroj se Kuvendi ka kuorumin e ligjshëm sipas statutit të PD dhe ka aftësi të plotë vendimmarrje nga ky çast”, tha Këlliçi.
Nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha ka mbajtur një fjalim urimi në këtë 31-vjetor të krijimit të Partisë Demokratike, në ambientet e jashtme të selisë blu. Për të, misioni i demokratëve është që t’i prijnë daljes nga ky tranzicion.
“Së pari dhe ndryshe nga herë të tjera, PD e kujton këtë ditë duke përjetësuar në ambjentet e saj dokumentin themeltar të firmëtarëve të PD. Të emrave të atyre që sot nuk janë mes nesh, të atyre që janë jashtë, të atyre që janë kthyer nga SHBA e Kanadaja.
Sot këtë instalacion do e zbulojnë dy vajza të forumit rinor të PD, si simbol i vazhdimit të misionit tonë për shqiptarët, me rininë për rininë me të ardhmen.
Sprovat tona në këtë rrugë 30-vjeçare kanë qenë të panumërta, duke filluar si forca e parë kundër një regjimi barbar, i cili ktheu vëllain kundër vëllait, që shkatërroi objektet e kultit, që shkatërroi punën dhe lirinë e pronës, që izoloi Shqipërinë, që varfëroi në minimum ndërgjegjjen e kombit duke ndaluar letërsinë dhe artin. T’i mbijetosh kësaj çmendurie është tregues i instiktit të mbijetesës së këtij kombi. T’i prijmë daljes nga ky tranzicion vijon dhe mbetet misioni i demokratëve”, u shpreh Basha.