Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka ndarë me qytetarët në Facebook një detaj prekës nga Thumana, aty ku bilanci ishte tragjik, si pasojë e tërmetit shkatërrimtar. Nga gërmimet nën rrënoja për të nxjerrë trupat, është gjetur një flamur i cili ka shkaktuar emocion tek grupi i personave të kërkim shpëtimit.
Lleshaj nënvizon se 28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer. Ministri shton më tej se ky flamur i nxjerrë nga rrënojat, për pak çaste e largoi dhimbjen, dhe ktheu dritën e shpresës.
Statusi
28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer.
Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Ishte ky flamur, i nxjerë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës.
Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare.
Rroftë Shqipëria!