“Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës, do të mbrojë rendin, sigurinë publike, qetësinë publike, institucionet dhe shtetin ligjor”.
Është kjo deklarata e bërë nga Lulzim Basha para 8 vitesh, pas ngjarjes së rëndë ku u vranë katër protestues. Në atë kohë ministër i Brendshëm, Lulzim Basha mbronte efektivët e policisë se po mbronin shtetin ligjor teksa deklaronte madje se “Policia e Shtetit do bëjë gjithçka për të vënë para drejtësisë autorët e akteve kriminale për t’i vënë para drejtësisë”, duke justifikuar kështu dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
Por, çfarë thotë sot Basha për efektivët e policisë, teksa rolet kanë ndryshuar: kryedemokrati është në krye të protestave, pjesë e opozitës dhe jashtë parlamentit pas djegies së mandateve.
Kreu i Partisë Demokratike jo vetëm që po udhëheq protestat ku Policia e Shtetit shpesh është sulmuar, por akuzon madje këtë të fundit se ka provokuar dhunën dhe po ashtu ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve të opozitës së bashkuar.
Jo vetëm kaq, por në protestën e 17 marsit, pak para se të mbyllte protestën, Basha bëri thirrje nga selia blu publikisht që protestuesit t’i godasin efektivët e policisë, të cilët kryedemokrati i quan “horra”.
“Mos e ktheni faqen tjetër kur ju godasin horrat e shtetit, por goditini mbrapsht”, thotë Basha, i cili siç e pamë në këto dy raste, ndjek dy standarde ndaj Policisë së Shtetit, në varësi të statusit që mban./ Tirana Today