Në Shqipëri ndërrojnë kohët, por jo politikanët. Në pranverën e vitit 1924, Ahmet Zogu rrëzohet nga pushteti përmes një kryengritje të armatosur. I arratisur në Jugosllavi, ai kërkon ndihmën e Beogradit për t’u rikthyer në pushtet. Kryeministri jugosllav Nikolla Pashiç bie dakord, me kushtin që Zogu të nënshkruante një pakt të fshehtë, që i jepte fund pavarësisë së Shqipërisë, dhe e shndërronte atë në një krahinë të federatës jugosllave, ashtu si Kosova.
Marrëveshja, e nënshkruar mes të dyve më 14 gusht 1924, përmbante 16 pika, ku Ahmet Zogu angazhohej për bashkimin e vendit me Jugosllavinë. Shqipëria nuk do të kishte më Ministri të Luftës, ndërsa xhandarmëria do të ekzistonte nën kontrollin e oficerëve jugosllavë dhe rusë.
Shqipëria nuk do kishte as Ministri të Jashtme, dhe në botë do të përfaqësohej nga diplomatët jugosllavë. Gjithashtu, ajo hiqte dorë nga çështja kombëtare dhe interesi mbi trajtimin e shqiptarëve të mbetur jashtë kufirit. Nuk kishte të drejtë t’i shpallte kujt luftë, pa pëlqimin e Beogradit. Ndërsa nëse Jugosllavia hynte në luftë me Bullgarinë apo Greqinë, ajo kishte të drejtë të rekrutonte në Shqipëri 25 mijë ushtarë, që do t’i përdorte në frontin bullgaro-grek.
Katër muaj më vonë, Zogu kundërsulmoi dhe u rikthye në pushtet. I dha Jugosllavisë Shën Naumin, hoqi dorë nga çështja e Kosovës, dhe e pa aleancën me Italinë si të vetmen kamardare shpëtimi për belanë ku e kishte futur veten dhe Shqipërinë. Enver Hoxha, tentoi diçka të ngjashme 20 vite më vonë. Kjo tregon se politikanët shqiptarë, janë të gatshëm të shesin çdo gjë, për hir të interesave të tyre personale.