Nga Anxhela Ferra
Shqipërisë i duhet të respektojë një sërë rregullash të vendosura nga institucionet ndërkombëtare, për të marrë fondin e mbledhur në Konferencën e Donatorëve. Ku në thelb të nëntë pikave është edhe transparenca dhe llogaridhënia. Qeveria duhet të japë llogari në mënyrë të vazhdueshme për përdorimin e fondeve. Madje Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të jetë vetë Bashkimi Europian që do të përfshihet në implementimin e fondeve të dhëna nga ndërkombëtarët.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për Tirana Today shprehet se problemi më i madh tashmë lidhet pikërisht me transparencën dhe eleminimin e korrupsionit.
“Gjithë vendet me qëndrimet që mbajtën, kontributet që po japin treguan që janë dashamirës të Shqipërisë dhe popullit shqiptarë. Dhe kjo është një ndihmë që jepet ekzaktësisht për ta, jo për qeverinë. Kjo është në radhë të parë meritë e atyre që dhanë kontribute për të përballuar pasojat e këtij tërmeti të rëndë. Dhe nuk është hera e parë që këto vende angazhohen e ndihmojnë vendet që janë në fatkeqësi.
Problemet vijnë tani dhe janë ekspozuar një sërë çështjesh. Veçanërisht është ajo e transparencës në përdorimin e fondeve dhe eleminimin e korrupsionit. Shqetësimi në rastin e Shqipërisë ka qenë i madh. Ajo që të ngroh është vëmendja e komunitetit ndërkombëtarë. I cili do të jetë xhandarë i përdorimit të këtyre fondeve.”
Konferenca e Donatorëve mblodhi një shifër të paparashikuar, 1.15 miliardë euro për projekte zhvillimi për ringritjen pas tërmetit të 26 Nëntorit. Por, shuma është e shpërndarë më tepër në formën e granteve dhe të huave dhe një pjesë më e vogël është dhuratë.
Sipas Spahos, kjo është pritet të sjellë probleme. Pasi rritja e borxhit publik bën që të ulen mundësitë për të ndërmarrë projekte zhvëllimore në të ardhmen. Dhe se çmimi i rindërtimit do të paguhet nga qytetarët.
“Po ky është një problem, pavarësisht se kreditë do të jetë me terma të ulëta. Do të rritet borxhi publik, i cili edhe në momentin që flasim nuk është i ulët. Është mbi 70% e prodhimit të brendshëm. Këtu nuk janë të përfshira dhe koncensionet, të cilat kanë një periudhë të gjatë të realizimit të tyre. Efektet në ekonomi do të ndjehen, sa më shumë kohë që të kalojë. Dhe pas disa vitesh kur të fillojmë të shlyejmë këto shuma. Gjithçka nga taksat paguhet, ne jemi ata që do të paguajmë çmimin e rindërtimit.
Borxhi është borxh dhe je i detyruar të respektosh detyrimet. Por, kjo do të rezultojë në kufizimin e burimeve për qëllime të tjera. Për të ndërtuar më shumë rrugë, shkolla, infrastrukturë. Sa më shumë borxh të merret sot, aq më pak janë mundësitë në momentin e kthimit të borxhit, për të përdorur burime publike për projekte të tjera zhvillimi.”
Teksa ende nuk dihet sa do të zgjasë periudha e tërheqjes së shumës së dhënë nga ndërkombëtarët, Spaho bën thirrje të nisë menjëherë puna e rindërtimit me fondin e vendosur në dhjetor nga Komisioni i Ekonomisë.
“Pavarësisht shumës që është premtuar nga komuniteti ndërkombëtarë, angazhimi buxhetor për programin e rindërtimit duhet të mbetet. 20 miliardë lekë që janë parashikuar në buxhet duhet të ngelen. Pasi dihet që kreditë, grantet do të duhet të diskutohen me donarorët, të hartohen programet, të përcaktohen kalendarët e disbursimit etj. Të gjitha këto do të kërkojnë kohë.
Kurse me paratë e buxhetit të shtetit mund të procedohet menjëherë nëse janë hartuar projektet se ku do të ndërtohet. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi qytetarët të cilët janë pa strehë duan të nisë puna. Dhe sa më shpejt ata të munden të futen në banesat e reja.
Në punën e institucioneve tona shtetërore mpleksen të gjitha fenomenet negative. Ka dhe burokraci, ka zvarritje, mungesë kapacitetesh, korrupsion. Dhe të gjitha këto do të bëhen pengesë për zbatimin në kohë dhe siç duhet të programit të rindërtimit.”/ TIRANA TODAY