E mërkurë, 22 Shtator, 2021
15.5 C
Tirana

Zgjedhjet e 22 marsit 1992, kur “1 milionë shuplakat” kthehen në një mallkim

Zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, që shënuan fitoren e thellë të Partisë Demokratike dhe ngjitjen e saj të parë në pushtet, cilësohen deri më sot të vetmet zgjedhje të pakontestuara nga humbësi. PD dhe lideri i saj historik, Sali Berisha, i referohej atyre, sa herë që synonte të frymëzonte mbështetësit e së djathtës në prag të proceseve zgjedhore.

Megjithatë më shumë sesa një betejë normale politike mes së majtës dhe të djathtës, ato zgjedhje u cilësuan mbi të gjitha si një përplasje përfundimtare mes dy epokave. Në këtë këndvështrim, 22 marsi etiketohet shpesh si një referendum popullor për ndryshimin e sistemi politik, pra një votë masive kundër sistemit të kaluar dhe PPSH (PS) si forca politike përfaqësuese e saj.

Ndryshe nga një vit më parë, votës së qyteteve të mëdha iu bashkua shumica e zonave të tjera periferike, dhe për herë të parë e të vetme në këto 28 vjet, një parti politike fitoi një mandat qeverisës me më shumë se 1 milionë vota. Bashkë me aleatët që iu bashkuan qeverisjes, mbështetja elektorale i kalonte 1.2 milionë vota.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së në atë kohë, Partia Demokratike mori saktësisht 1.046.193 vota, ose 57 për qind, e përkthyer në 92 mandate deputetësh. Nga ana tjetër rivalja kryesore, Partia Socialiste edhe pse ishte organizatorja dhe kishte në dorë të gjithë instrumentet e pushtetit, veçanërisht policinë dhe strukturat aktive të ish-Sigurimit të Shtetit, që ushtruan presion mbi votuesit, mori më pak se gjysmën e votave të PD-së; 433.602, ose 23.7 për qind të votave, në total të përkthyera në 38 deputetë.

Pas zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u zgjodh President i Republikës, Aleksandër Meksi u bë kryeministër, ndërsa i ashtuquajturi “Mandela i Shqipërisë” për shkak të përndjekjes së gjatë nën regjimin komunist, Pjetër Arbnorin, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

E habitur nga dalja në opozitë pas 47 vitesh, PS si trashëgimtarja e PPSH, e pranoi disfatën dhe përmes organit të saj zyrtar “Zëri i Popullit” e uroi PD për fitoren:“Populli verdiktin e dha, PD përballë provës historike për të përmbushur ato shpresa dhe ato premtime, që i dhanë fitoren e bujshme. Do të qëndrojmë në opozitë dhe do të luftojmë për një përfaqësim dinjitoz në Kuvendin Popullor”,– deklaronte kryesia e PS nëpërmjet faqeve të gazetës.

Rotacioni paqësor nuk u respektua, pavarësisht disa ankesave nga PS, për presione dhe manipulime nga ana e PD në disa zona zgjedhore. Por shqiptarët ishin të traumatizuar nga kriza e rëndë ekonomiko-sociale nga ku kishin dalë, dhe kishim pak durim për reformat e dhimbshme që kërkonte tranzicioni drejt ekonomisë së tregut.

Liberalizimi i çmimit të disa produkteve ushqimore, ngriti në stratosferë çmimet brenda disa javësh, përfshirë dhe atë të bukës, dhe kjo u reflektua vetëm 4 muaj më vonë, kur PD humbi thellë në zgjedhjet lokale të 26 korrikut. Pikërisht këtu nis edhe degradimi i PD si forcë politike.

I tërbuar nga ajo humbje, Sali Berisha, fajësoi për të kundërshtarët e tij në parti Gramoz Pashkon, Neritan Cekën, Arben Imamin, Preç Zogajn etj, të cilët akuzoheshin se nuk ishin angazhuar në fushatë.

Këta të fundit, që prej bashkëqeverisjes së përkohshme së PD me PS në vitin 1991, kishin pasur mendime të ndryshme me atë të kryedemokratit. Madje në prag të zgjedhjeve të 22 marsit, ata kishin kërkuar zyrtarisht legalizimin e fraksioneve në PD.

Qëndrimi i prerë i forumeve drejtuese të Partisë Demokratike të asaj kohe, do t’i përcaktonte pikërisht ata si “grupin armiqësor”, që do të quheshin pak muaj më pas “mocionistët”, apo “karrige-thyerit” pas largimit përfundimtar nga PD në gushtin e 1992-shit. Nga ai moment, Berisha, që e keqinterpretoi fitoren plebishitare të 22 marsit, si një licencë të përjetshme të qëndrimit në pushtet, nisi që të bëhej gjithnjë e më autoritar. Me projektkushtetutën e vitit 1994, tentoi që të forconte në maksimum kompetencat e veta, por humbi në referendimin popullor. Më pas piramidat, dhuna e vazhdueshme e policisë së SHIK-ut, manipulimi i zgjedhjeve të majit 1996, dhe ngjarjet e 1997, e nxorën PD-në në një opozitë të gjatë dhe të vështirë deri në vitin 2005.

Lexo edhe :   Kanada/Trudeau qëndron në pushtet, por liberalët nuk arrijnë shumicën

Qeverisja e dytë e viteve 2005-2018, nuk ishte në dukje e dorës së forte, sikurse kishte qenë e para. Pati një reduktim të ndjeshëm të korrupsionit në administratë, si dhe një rritje relativisht të kënaqshme ekonomike, e cila u zbeh ndjeshëm në mandatin e dytë.

Lexo edhe :   Kanada/Trudeau qëndron në pushtet, por liberalët nuk arrijnë shumicën

Megjithatë nuk munguan skandalet dhe aferat e rënda korruptive, që në disa raste lanë në hije edhe arritjet. Rruga e Kombit, Gërdeci dhe 21 Janari, janë dosjet e nxehta penale që nuk janë trajtuar asnjëherë si duhet nga drejtësia, dhe që vazhdojnë të kompleksojnë edhe sot lidershipin demokrat.

PD doli në opozitë pas zgjedhjeve të vitit 2013, ku pësoi disfatën e rëndë të “1 milionë shuplakave”. Pa një analizë reale të shkaqeve të humbjes, Lulzim Basha u zgjodh pasues i Berishës në krye të PD, pas një gare të kontestuar brenda-partiake, përballë të ndjerit Sokol Olldashi.

Ironikisht në 4 vite opozitë, PD jo vetëm që nuk arriti të joshë shumicën e shqiptarëve, por u izolua gradualisht nga ndërkombëtarët, pas kërcënimeve se do të bojkotonte zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Garancitë e një qeverie të përkohshme të përbashkët PD-PS, nuk mjaftuan që demokratët të rivinin në pushtet.

Ata akuzuan PS për blerjen masive të votave me paratë e drogës, por pa ofruar prova konkrete. Indicjet që shtojnë dyshimet për blerjen e votave, u bënë publike 2 vite më pas nga “Zëri i Amerikës”, një radio-televizion i themeluar dhe financuar nga qeveria amerikane.

PD dhe LSI, vendosën që të ashpërsojnë qëndrimin e tyre përmes protestave, që nisën të bëhen të dhunshme. Por ndërkombëtarët, OSBE, BE dhe SHBA, theksuan se pavarësisht dyshimeve të bëra publike, njohin ende zgjedhjet e 2017-ës dhe legjitimitetin e qeverisë aktuale.

Në këto kushte, Basha dhe Kryemadhi, vënë në zbatim idenë e hedhur prej kohësh nga ish-kryeministri Sali Berisha për djegien e mandateve, dhe përmbysjen e qeverisë përmes protestave të vazhdueshme, që nuk përjashtojnë skenarin e përplasjes apo mosbindjes civile.

Kjo sfidë e hapur ndaj qeverisë Rama, por sidomos ndaj faktorit ndërkombëtar, është pritur ashpër nga kancelaritë perëndimore, që në bllok kanë inkurajuar krijimin e një blloku të ri opozitar në parlament.

SHBA dhe BE, e kanë bërë vazhdimisht të qartë, se për ta prioriteti kryesor është reforma në sistemin e drejtësisë, e cila duhet të vazhdojë në rrugën që ka nisur. Me djegien e mandateve, PD i është futur lojës më të rrezikshme të ekzistencës së saj. Një lojë e cila mund ta sjellë ose në pushtet, ose mund ta lërë më tej në opozitë, si një forcë edhe më e reduktuar në mbështetës.

Njezëteshtatë vite pas fitores së 22 marsit 1992, kanë ndryshuar pozicionet. PS e të majtës, ish-trashëgimtares së Partisë së Punës, që dikur ishte kundër anëtarësimit të vendit në NATO, është sot shumë më pranë qasjes së Perëndimit për reformat madhore.

Ndërkohë, PD,  që 27 vite më parë ishte partnerja kryesore e ndërkombëtarëve, sot është shndërruar prej këtyre të fundit në një tabelë qitjeje, si një forcë politike që po lundron rrezikshëm në ujërat e turbullta të anarkizmit politik, duke dëmtuar veten por mbi të gjitha perspektivën e Shqipërisë për të shpejtuar anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian./ Përgatiti Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Për një parlamentarizëm antimafie, antikorrupsion

Nga: Pëllumb Nako Parlamenti filloi punimet nën një normalitet absolut. Sigurisht, u krijuan edhe komisionet përkatëse, të njëjtë si të viteve e dekadave më parë....

Alternime kthjellimesh dhe vranësira. Nesër priten teshje shiu të izoluara

Ditën e merkurë, vendi ynë pritet të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësira. Reshje shiu...

Artan Hoxha: Mund të arrestohen ish-kryeministra e ish-presidentë

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka zhvilluar së fundmi një takim me 15 prokurorët e SPAK, ku ka përçuar mesazhe të rëndësishme....

Lajçak i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës

Përfaqësuesi i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka njoftuar vendet e BE-së për situatën në veri të Kosovës. Me anë...

Kurti takim me ambasadorët e QUINT-it, zbulon vendimin e fundit

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ku është diskutuar lidhur me reciprocitetin e targave me Serbinë. Kurti...