Editorial - Opinione

Teknologjia, aleati më efektiv i terrorizmit

               Publikuar në : 16:50 - 22/03/19 S.N

Nga Jason Burke “The Guardian”

Terrorizimi është i efektshëm, pasi duket gjithmonë shumë pranë. Duket gjithnjë i ri. Dhe tingëllon përherë personal. Kjo ka qenë e vërtetë që kur shpërtheu vala e parë e dhunës terroriste, në qytetet e reja të industrializuara të Perëndimit në fund të shekullit XIX-të.

Terrorizimit ndihet shumë në rrafshin personal, edhe pse statistikat mund të tregojnë se ne kemi shumë herë më tepër gjasa të vdesim në një aksident banal, ne instinktivisht arrijmë në përfundimin se pas një sulmi terrorist në anën tjetër të rrugës, qytetit ose në rastin e Zelandës së Re, në anën tjetër të botës, ne mund të jemi objektivi i ardhshëm.

Terrorizmi gjithmonë duket i afërt, të paktën kur ndodh në një mjedis që i ngjan vetes, sepse imazhet tronditëse në telefonat tanë, televizione apo gazetat tona e fshijnë distancën midis nesh dhe burimit të rrezikut. Ngjan gjithnjë i ri, sepse ndonëse çdo sulm ka një afat kohor të njohur, raportet e para mes kaosit dhe konfuzionit, deklaratat nga policia dhe politikanët, analiza nga komentatorët, identifikimi i sulmuesve dhe viktimave, ngushëllimet dhe flamujt në gjysmë-shtizë, debatet rreth radikalizimit etj, secili është unik.

Në vitet 1970, eksperti i terrorizmit, Brajan Majkëll Xhenkins, tha se “terrorizmi ishte një teatër”. Ajo frazë përmblodhi si duhet natyrën e tij spektakolare dhe performuese. Këto ditë, ai duket më shumë si një seri e pafundme televizive, që të gjithë dëshirojnë të kishte përfunduar, por që gjithsesi të gjithë e shohin.

Akti i Brenton Tarrant, 28-vjeçari australian, që vrau 49 besimtarë në dy xhami në Kristçërç të Zelandës së Re, dhe e transmetoi sulmin në Facebook nëpërmjet një kamere GoPro të montuar në një helmet, shkakton një trishtim të pashmangshëm.

Natyrisht, shumica e njerëzve supozojnë se ndryshimet teknologjike që ndikojnë tek terrorizmi, janë ato që përfshijnë armët apo eksplozivët. Por ndryshimet e mëdha në këtë fushë, patën ndodhur shumë kohë më parë. Dinamiti u shpik në vitin 1867, dhe armët automatike u përhapën shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore.

Ajo që ka ndryshuar shumë, është media që u mundëson individëve ose grupeve të shpërndajnë mesazhin e tyre. Terrorizmi është “propaganda e shoqëruar nga vepra”, një term i shpikur në shekullin e XIX-të nga praktikuesit e tij të parë. Vetëm dhuna nuk mjafton. Kjo dhunë duhet të terrorizojë, të frymëzojë një frikë të paarsyeshme, dhe në këtë mënyrë të ndryshojë mendjet.

Por ndërkohë, terrorizimi duhet të radikalizojë dhe mobilizojë gjithashtu. Ai duhet të dërgojë një mesazh tek armiqtë, mbështetësit dhe ndoshta më e rëndësishmja, tek ata që nuk janë as në asnjë kamp. Al-Kaeda dhe ISIS-i e bënë këtë mjaft të qartë. Po kështu ndodhi edhe me “manifestin”e Tarrant.

Çdo ndryshim në teknologjinë mediatike gjatë gjysmë shekulli ose më shumë, e ka bërë më të lehtë që terroristët ta arrijnë këtë qëllim. Në vitet 1950-1960, radioja dhe foto-gazetaria e re, nënkuptonte që dhuna mund të ndikonte në mendimin publik mijëra kilometra larg fuqive koloniale. Kështu ekstremistët zgjodhën taktika terroriste në ditët e fundit të mandatit britanik në Palestinë, si dhe gjatë luftës së pavarësisë kundër Francës.

Në vitet 1970, terroristët e kuptuan me shpejtësi potencialin e transmetimeve televizive jashtë shtetit. Sulmi terrorist ndaj atletëve izraelitë në Olimpiadën e Mynihut në vitin 1972, u mbulua nga rrjetet televizive të mbarë botës. Ky operacion, ishte projektuar ta shfrytëzonte këtë kapacitet të ri. Në vitet 1990, hynë në përdorim transmetimet televizive satelitore.

Nuk ishin më redaktorët perëndimorë dhe ata që punonin për regjimet arabe, ata që kontrollonin se çfarë lajmesh do të jepeshin për popujt e Lindjes së Mesme. Kanalet e komunikimit po bëheshin më të drejtpërdrejta, dhe kjo ishte jashtëzakonisht e dobishme për militantët. Më 11 shtator 2001, Osama bin Laden e dinte se askush nuk mund të ndalonte transmetimin e drejtpërdrejtë të imazheve të tij, të sulmeve masive ndaj SHBA-së, me miliarderët në botën islamike, që ishin audienca e tij kryesor.

Pastaj erdhi edhe ndryshimi më i madh: dixhitalizimi. Ndërsa mediat evoluan, po kështu ndodhi edhe me organizatat terroriste. Mediat tradicionale ishin gjithnjë e më të tepërta. Pse të përpiqeshin të kishin akses tek BBC apo Al-Jazeera, kur mund të krijonin kanalet e veta, duke patur qasje direkte me audiencën që synon?

ISIS e tregoi se sa efektive mund të ishte kjo. Ekstremistët e krahut të djathtë, ishin më të ngadaltë në shfrytëzimin e potencialit të këtij ndryshimi sizmik. Tani, me sulmin në Kristçërç, edhe ata e kapën ndryshimin. Ka patur edhe me parë transmetime të drejtpërdrejta të sulmeve terroriste. Kështu, një ekstremist francez transmetoi direkt në Facebook vrasjen me thikë të një polici dhe partneres së tij në vitin 2016, por asnjë të një profili të lartë.

Thuhet shpesh, se kemi mediat që meritojmë, por ky është një thjeshtëzim. Por mediat, ashtu si terrorizmi, janë pjesë e shoqërive tona, dhe ashtu si terrorizmi, edhe ato ndikohen nga tendenca më të gjera. Ndoshta elementi më i spikatur i mizorisë në Zelandën e Re, është se si filmimi i videos ishte një pjesë integrale.

“Le të nisim këtë festë!”- thotë Tarrant, teksa hipën në makinën e tij, duke folur direkt me shikuesit në FB. Ai promovon imazhet e fytyrës së tij, në një version të një dukurie bashkëkohore: selfie. Thelbi i sulmit nuk është vetëm vrasja e myslimanëve, por xhirimi i një videoje të dikujt që vret myslimanët.

Tarrant tha në “manifestin” e tij, se ai nuk donte të vdiste, por e pranoi se kjo mund të ndodhte. Por ai dëshiron ende të shihet si një martir i kauzës së vet, nga ana e mbështetësve të tij. Fjala “martir”, është me origjinë greke, dhe i referohet një dëshmitari. Ekuivalenti i saj në gjuhën arabe, ka një rrënjë të ngjashme.

Dëshmitarët kanë nevojë për një audiencë, përndryshe aktet e tyre janë boshe. Për disa terroristë, ky dëshmitar është vetëm Zoti, por ky është pak. Për një numër në rritje, ajo audiencë nëpërmjet Facebook-ut, përmes sajteve virtualisht të pakontrolluara në qoshet e errëta të internetit, nëpërmjet mediave të zakonshme që i urrenin dhe dyshojnë, është gjithkush.

Në botën e Tarrant, në transmetimin e tij të drejtpërdrejtë, në mendjen e tij dhe atë të pasuesve të tij, ai është një luftëtar, një hero racial, një udhëheqës, por gjithashtu, në një kuptim më të gjerë bashkëkohor, është një njeri i famshëm, qoftë edhe vetëm një çast. Në një farë mënyre, sado e tmerrshme dhe e shtrembëruar qoftë ajo, ai nuk e ka gabim./ Përshtati TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT