Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë risjellë sërish në fokus sot nga ambasadorja amerikane Yuri Kim. Ajo ka qenë e pranishme në ekspozitën “Në emër të Amerikës”, ku gjatë fjalës së saj, ka cekur marrëdhënien e ngushtë mes dy palëve.
Ambasadorja kujtoi periudhën e diktaturës, ku vendi u detyrua të izolohej dhe ambasada e SHBA-së të mbyllej. Në të njëjtën kohë, Yuri Kim nënvizoi se çfarëdo që të ndodhë, Shqipëria dhe Amerika do t’i ketë marrëdhëniet e palëkundura.
Diplomatja amerikane shtoi më tej se demokracia që kemi sot, mund të mos jetë e përsosur, por është fituar me gjak e duhet ruajtur.
“Sikurse ju e dini, historia mes SHBA-së dhe Shqipërisë është unike. Besoj se të gjithë jeni në dijeni për kohën e vështirë, ku detyruan ambasadën tonë të mbyllej dhe popullin shqiptar të izolohej.
Ky vit shënoi edhe 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Besoj se të gjithë jeni në dijeni, për fillimin e marrëdhënieve. Në kohën kur po binte Perandoria Otomane, shtetet donin ta ndanin Shqipërinë mes veti.
Që në fakt ndihem krenare që ishte presidenti ynë Willson, që tha jo se Shqipëria është komb që meriton të jetë e pavarur. SHBA-të nuk janë lëkundur kurrë nga ajo pozitë. Ju jeni partnerët tanë. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë brenda apo jashtë Shqipërisë, kjo pozitë nuk ka për të ndryshuar.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një mision vëzhguesish erdhën në Tiranë për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike. Por qeveria komuniste i sulmoi ata dhe u larguan në nëntor të vitit 1946. Diktatura komuniste filloi të ushtronte kontrollin e saj, duke mbyllur kufijtë dhe ndërtuar bunkerë të panevojshëm për të luftuar armikun imagjinar. Ky është edhe thelbi i kësaj ekspozite të sotme.
Komunistët donin ta mbyllnin vendin fizikisht dhe shpirtërisht. Me qindra persona filluan të persekutoheshin, me persona që kishin parë se çfarë ishte bota jashtë. Muajin e kaluar pata mundësinë të shihja burgun e Spaçit. Është historia edhe e dinjitetit dhe qëndresës.
Është e rëndësishme të theksojmë se kjo është histori e gjatë. Ju mund të jeni persona që jeni prekur nga ajo periudhë. Prandaj është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë këta njerëz, tmerret që kanë kaluar, që patën guximin ta rrezikonin jetën. Demokracia mund të mos jetë e përsosur, por ajo është blerë përmes gjakut dhe djersës. Është një gjë e çmuar dhe duhet ta mbrojmë. Jam e kënaqur që ndodhem këtu”, u shpreh Kim në fjalën e saj.