Gjashtë ish-deputetët e Partisë Demokratike ishin thirruar në Prokurorinë e Tiranës si persona në hetim, pasi akuzohen për hyrje me dhunë në komisariat dhe për kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë.
Në një prononcim për mediat, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi se akti i përgatitur nga prokurori, sipas tij është tërësisht i pavlerë dhe për këtë ai ka kërkuar të ribëhet edhe njëherë.
“Nuk ka eshte komunikuar akuze. Nuk dime se cfare materialesh ka mbledhur prokuroria. Ne ketu do te jemi, ne respekt te ligjit. Dy duar per nje koke jane, u bej thirrje shqiptareve te bashkohen diten e diel”,- tha ai.
Një ditë më parë ata denoncuan pengimin me dhunë nga policia të ushtrimit të detyrës së tyre kushtetuese për të marrë informacion për ndalimet e paligjshme pas protestës së 16 shkurtit.
PD e akuzoi policinë se ka manipuluar pamjet e datës 16 shkurt kur ish-deputetët u futën në komisariat për t’u informuar mbi gjendjen e të ndaluarve pas protestës.