Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në Facebook një video me pamjet e trishta nga jashtë spitalit të Brooklyn në New York.
Në video shihet sesi trupat e viktimave nxirren nga spitali dhe ngarkohen me vinç në kamionë frigoriferikë. Rastet me koronavirus janë shtuar shumë brenda një kohe shumë të shkurtër në New York.
Siç raportohet edhe në video, që nga e hëna e deri më sot në New York janë regjistruar 66 mijë raste të reja, ndërsa kanë ndërruar jetë 1,218 persona.
“Ndërsa rritet numri i viktimave në qytetin e New York-ut për shkak të shpërthimit të COVID-19, disa spitale kanë marrë masa të dëshpëruara për të përballuar dallgën e egër. Trupat e viktimave të COVID-19 janë parë duke u ngarkuar në një kamion me frigorifer, duke përdorur një vinç, jashtë Qendrës Spitalore të Brooklyn këtë fundjavë, ndërsa numri i të vdekurve në këtë qytet i ka kaluar 1 mijë veta.
Agjencia britanike e lajmeve “The Independent” raportoi se arsyeja e përdorimit të këtyre kamionave ishte nga pamundësia e spitaleve për të mbajtur numrin e shtuar të kufomave në morgun e tyre. Që nga e hëna, më shumë se 66 mijë njerëz kanë rezultuar pozitivë në New York dhe 1,218 prej tyre vdiqën për shkak të virusit”, thuhet në kronikën e shpërndarë nga kryeministri Rama.
SHBA mban vendin e parë në botë për numrin më të madh të infektuarve me koronavirus. Në të gjithë SHBA janë shënuar më shumë se 200 mijë raste infektimi, ndërsa kanë humbur jetën 5,140 persona.