Në tentativë për të goditur trafikantët e drogës, një oficer policie humbi jetën sot nga të shtënat me armë zjarri. Oficeri i krimeve Saimir Hoxha, 45 vjeç, u vra gjatë kohës që ishte në krye të detyrës, gjatë një operacioni në Vain të Lezhës për parcelat e drogës.
Një grup efektivësh të anti-drogës në Policinë e Lezhës, po kontrollonin gjatë orëve të para të mëngjesit në zonën e Vainit, kur janë sulmuar me breshëri armësh zjarri nga trafikantët. Për pasojë ka mbetur i vdekur oficeri i krimeve, Saimir Hoxha, 45-vjeç, trupi i të cilit është gjetur nga kolegët e tij në një kanal të zonës.
45-vjeçari mendohet se ai është qëlluar nga një distancë e afërt, duke humbur jetën. Polici i vrarë dyshohet se kishte informacione se brenda lagunës Kune-Vain, kishte kultivim të parcelave me kanabis. Uniformat blu kanë identifikuar autorin e ngajrjes, si Aldo Rama dhe është në kërkim të tij.
Për kapjen e tij në ndihmë të policisë lokale janë nisur forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Oficeri i vrarë, Saimir Hoxha është babai i dy fëmijëve të mitur, dhe ka një karrierë relativisht të gjatë në Policinë e Shtetit.
(Autori i krimit)
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:30, në Ishull Lezhë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.