Lidhur me frikën e mos prekjes nga koronavirusi, Rama zbuloi sot se testet do të bëhen për kategori të caktuara. Ai ceku shembullin e Zvicrës që teston ata mbi 65-vjeç dhe të sëmurët kronikë, sepse janë më të prekshmit dhe më të dobëtit si dhe ata me sëmundje kronike.
Kryeministri tha se për ata që shfaqin simptoma të lehta, mjekët do i këshillojnë që të qëndrojnë në shtëpi, të vetë-izolohen nga anëtarët e tjerë të familjes. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai sqaroi më tej se kur testi del pozitiv, pacienti qëndron në shtëpi, pasi spitali nuk e merr përsipër kur ka shenja të lehta.
“80% e atyre që do preken nga ky virus, nuk do të ndjejnë asgjë dhe nuk do ta kuptojnë kurrë që u prekën. Ne s’kemi nevojë për testime, duhet të sillemi sikur e kemi virusin, e të mbrojmë veten. Të mos bëhemi shkelës të rregullave, me idenë që ne s’kemi asgjë. Nëse bëhen testime për ata që kanë shenja të lehta, mjafton marrja e masave, se në fund të ditës ju thuhet rrini në shtëpi. Pra edhe kur testi del pozitiv, iu thuhet rrini në shtëpi, s’të merr njeri në spital për shenja të lehta, thuhet: rri në shtëpi”, sqaroi Rama.
Sipas tij, Shqipëria do ndjekë shembullin e Zvicrës, që teston ata mbi 65-vjeç dhe të sëmurët kronikë, kurse për të tjerët do rekomandohet qëndrimi në shtëpi.
“Zvicra ka vendosur të testojë vetëm ata që janë 65 vjeç. Pse? Sepse janë më të prekshmit dhe më të dobëtit si dhe ata me sëmundje kronike, për të tjerët këshilla është qëndro në shtëpi. Kjo historia e testeve ka hapur debat, por në të gjithë rajonin fokusi është tek më të rrezikuarit”.