Si rrallë herë, kryeministri Rama është filmuar duke mbledhur mbetjet e qytetarëve në fushat e sportit tek pedonalja në Vlorë. Në një kohë kur Partia Demokratike denoncon në Kongres vjedhjen e zgjedhjeve, Rama ka përqëndruar fuqitë në një betejë tjetër, atë me Dritan Lelin.
“Vetëm 3 minuta e ndajnë turpin nga dinjiteti më i zakonshëm që duhet të ketë një qytet, një komunitet, por edhe një Bashki. Ato që vijnë dhe luajnë këtu bëjnë mirë, ti mbledhin dhe të mos i hedhin.
Ato që i mirëmbajnë duhet t’i pastrojnë përpara se të lindi dielli dhe njerëzit, shqiptarë, të huaj, që kalojnë anash dhe të mos shikojnë këtë pamje që është një turp”, shprehet Rama.
Pak ditë më parë, Dritan Leli mungoi në mbledhjen e kryebashkiakëve. Mungesa e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka ardhur si pasojë e përplasjeve të vazhdueshme brenda partisë, pasi Leli nuk pranoi të hiqte dorë nga posti i kryebashkiakut për të kandiduar për deputet.
Prej disa javësh, socialistët e Bashkisë Vlorë kanë kërkuar takim me Dritan Lelin në ambientet e Bashkisë ose teatrit “Petro Marko”, por ky i fundit kërkon mbledhje online për shkak të pandemisë.