Më herët, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka shprehur shqetësimin lidhur me atë që ajo e cilëson si përdorimin e minorenëve për aktet e dhunës në protestat që janë mbajtur për Klodian Rashën.
Ajo është prononcuar sërish pas reagimeve të shumta në lidhje me deklaratën ku tha se fëmijët që protestuan, do të trajtohen me psikologë.
Sipas saj, kjo deklaratë është keqinterpretuar. Në mesazhin e shpëndarë në rrjetin social Facebook, ministrja sqaron më tej se i vlerëson protestat, si një ndër arritjet tona më të mëdha.
Sa më e qetë e qytetare protesta, aq më e fortë kauza e saj. Po kështu është shprehur kundër dhunës në protesta, kundër dëmtimit të pronës publike e private, e sidomos kundër keqpërdorimit të fëmijëve nëpër protesta.
Vlen të theksohet se deklarata e ministres Kushi, se do të identifikojë dhe trajtojë me shërbim psiko-social fëmijët pjesëmarrës në protestat për vdekjen e 25-vjeçarit, ka shërbyer si kauzë për të kërkuar dorëheqjen e e saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lëvizja për Universitetin ka reaguar, duke e cilësuar retorikën e ministres përçmuese dhe me qëllimin e vetëm, atë të nëpërkëmbjes së protestës së të rinjve.
Statusi
Në rrjetet sociale kam lexuar sot disa postime ku pretendohet se unë jam shprehur në media kundër protestuesve me disa epitete që e kam të vështirë t’i shkruaj këtu, sepse nuk janë asnjëherë pjesë e fjalorit tim. Jam mësuar gjatë gjithë jetës të mbaj përgjegjësi për çdo deklaratë e fjalë të thënë nga goja ime, por aq më tepër tani përgjegjësia është edhe më e madhe sepse përfaqësoj institucionin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Prandaj, nuk mund të rri pa përgënjeshtruar sa herë shpifet ndaj meje, apo sa herë keqcitohem, me apo pa dashje. Në çdo intervistë jam shprehur se i vlerësoj protestat si një ndër arritjet tona më të mëdha, e sa më e qetë e qytetare protesta, aq më e fortë kauza e saj. E ndërkohë pa dyshim jam shprehur kundër dhunës në protesta, kundër dëmtimit të pronës publike e private, e sidomos kundër keqpërdorimit të fëmijëve nëpër protesta. Për këta kemi të gjithë detyrimin që t’i edukojmë me vlerat më të mira të demokracisë, qytetarisë, paqes dhe tolerancës.