Prej fillimit të muajit korrik, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ka arrestuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të akuzuar për korrupsion përmes “shkeljes së barazisë në tendera” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Por dorës së hekurt të SPAK nuk i kanë shpëtuar as ish-anëtarët e qeverisë Rama.
SPAK ka goditur majtas dhe djathtas, ku pjesë e bilancit janë kryebashkiakët e deri tek zv.ministrja Voda. Deri më tani tani drejtësia e re po funksionon si paralajmërim për zyrtarët e korruptuar, me mesazhin se koha e pandëshkueshmërisë mund të marrë fund! Shpresat tek drejtësia janë të mëdha, e po kështu tek finalizimi i “peshqve të mëdhenj”. Falë arrestimeve të bujshme, korriku i vitit 2021 futet në historinë e drejtësisë së re, si fillimi i ndëshkimit të të paprekshmëve, dhe të korruptuarve në nivele të larta.
Tentativa për pengimin e zgjedhjeve lokale të 2019 dhe abuzimi me tenderin e druve, SPAK dërgon në GJKKO ish-kryebashkiakun e PD të Pogradecit
Pas arrestimeve në radhët e mazhorancës, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka drejtuar “objektivin” nga opozita, ku në rrjetën e saj kanë rënë ish-kreu i Bashkisë së Pogradecit, dhe disa zyrtarë të tjerë për abuzime me tenderat. Më konkretisht, ditën e djeshme SPAK ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri, zëvendësin e tij dhe 4 persona të tjerë në varësi të tyre.
SPAK ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e PD në Pogradec, Eduart Kaprin dhe 5 ish-vartësit e tij, ndërsa çështja ka shkuar tashmë në Gjykatën e Posaçme. Kapri dhe 5 vartësit e tjerë do të gjykohen në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019, si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.
Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku Kapri akuzohet për veprat penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Kapri dhe 5 ish-zyrtarët e tjerë do të gjykohen në lidhje me akuzat për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”. Ndërsa, fakti i dytë lidhet me tentativën për pengimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit në vitin 2019.
Eduart Kapri, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal;
Avdulla Cano, me detyrë ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;
Nexhmi Torra, me detyrë ish-koordinator i Njësive Administrative pranë Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
Enkeleida Kllomollari me detyrë ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore pranë Bashkisë Pogradec, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
Gurali Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal
Safet Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal,
Prangosja e ish-kryebashkiaut Fatos Tushe dhe abuzimi me tenderin 24 mln lekë
Për 14 vite që ka shërbyer në poste publike të rëndësishme, për Fatos Tushen nuk është nisur hetim për ndonjë rast korrupsioni, përveç hetimeve të nisura për korrupsion nga SPAK. Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe së bashku me 8 zyrtarë të tjerë të Bashkisë dhe 2 biznesmenë u arrestuan me urdhër të SPAK, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “përfshirjes në një tender abuziv”.
Bëhet fjalë për një tender prej 24 milionë lekësh të rinj për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj të Njësisë Administrative Kolonjë. Tenderi për këtë vepër është hapur më 23 korrik të vitit 2020 me një fond limit prej 23 251 341.00 lekësh, me procedurë të hapur. Sipas të dhënave të tenderit, i cili është mbyllur në fund të muajit gusht të vitit të shkuar, në garë kanë marrë pjesë tri kompani, përfshirë edhe kompaninë “Euro Alb SHPK”, me pronar Bujar Muratin.
Kompania e Muratit u shpall fituese e tenderit në fjalë, me fondin limit të vënë në dispozicion nga qeverisja vendore e Bashkisë Lushnjë. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, sipas SPAK, kompania “Euro Alb SHPK” arriti të fitojë tenderin e Bashkisë, i ndihmuar edhe nga zyrtarët lokalë. Kompania është themeluar në Bulqizë në vitin 2006 dhe ka një kapital prej 55 milionë lekësh të rinj, ndërsa aktiviteti i saj është në fushën e ndërtimit.
Në krye të skemës së abuzimit ishte Flamur Peqini, drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe ish-kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnjë, si dhe zyrtarët nën varësi të tij. Nga përgjimet, vëzhgimet në terren dhe kontrollet e transaksioneve, ka rezultuar që zyrtarët e këtij institucioni, paratë e tenderëve i kalonin në mënyrë fiktive te kompanitë private. “Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara, këto me metodat tradicionale të hetimit”, thuhet në një deklaratë të SPAK.
Përveç pronarit të kompanisë “Euro Alb SHPK”, Bujar Murati, në pranga përfundoi edhe biznesmeni Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti shpk”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim. Kompania në fjalë, sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e ka bazën në zonën e Fushë-Krujës dhe është themeluar në vitin 2003. Sipas ekstraktit në QKR, ajo merret me ushtrimin e veprimtarisë tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë të një sërë mallrash përfshirë edhe grumbullimin e bimëve mjekësore. Ndërsa ende nuk dihen akuzat konkrete që rëndojnë mbi të.
Një ditë më parë, ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe apeloi vendimin e GJKKO-së e cila e la në “arrest me burg”. Me anë të avokatëve të tij, Tushe kërkoi nga Apeli i GJKKO-së zbutje të masës së sigurisë, pasi pretendon se për të nuk ka prova që e implikojnë në abuzimin me tenderin e rehabilitimit të kanalit vaditës.
Rama përjashton Fatos Tushen nga Partia Socialiste
Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe nga Partia Socialiste, i shkarkuar nga detyra pak ditë më parë pas akuzave të SPAK për korrupsion. Numri një i qeverisë theksoi se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por fuqia e votuar nga populli për ta çuar Shqipërinë në majë. Rama u shpreh se shkarkimi dhe përjashtimi i tij janë masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit, rezulton i pafajshëm nga akuzat e ngritura ndaj tij.
Abuzimi me tenderin 2.8 mld lekë të uniformave të policisë, arrestohet ish-drejtoresha e prokurimeve publike
Më 10 korrik, SPAK arrestoi 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Mes të arrestuarve ishte edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari.
Në 2 korrik 2021, një lëvizje rutine është raportuar nga Ministria e Brendshme, ku ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, (Prokurimet Publike) në Ministri, Edlira Naqellari u shkarkua nga detyra.
Me firmë të ministrit Bledi Çuçi, Naqellari u largua nga posti që e mbante prej 3 vitesh për tu zëvendësuar nga njëra prej drejtueseve të njësive të Agjencisë, Nertila Mihali.
8 ditë pas largimit nga detyra, Naqellari është arrestuar nga SPAK, si pjesë e grupit të zyrtarëve që kanë kryer abuzime me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, me vlerë 30 milionë euro.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pasi dëgjoi palët ka pranuar kërkesën e SPAK, duke lënë në fuqi masat e caktuara ndaj 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, tetë në burg dhe një “arrest shtëpie”.
Ish-drejtoresha e agjencisë së blerjeve të përqendruara, Edlira Naqellari së bashku me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë lënë pas hekurave, ndërsa e vetmja që do të vijojë që të hetohet jashtë qelisë, pra “arrest shtëpie” është Anisa Bogdani me argumentin se duhet të kujdeset për fëmijën e mitur.
Vendimi i gjykatës
Arrest me burg
Edlira Naqellari
Flutura Çerkezi
Ani Omuri
Kleviz Hasani
Kreshnik Bejkaj
Fatmir Femneri
Mariglen Buxali
Gëzim Mingaj
Arrest shtëpie
Anisa Bogdani
Inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk e ka firmosur tenderin. Aurora Mulla ka rrëfyer se çmimet e uniformave dhe këpucëve për policinë u rritën, pasi u ndryshuan specifikimet teknike.
‘Goditet’ zv.ministrja e Ramës
Një tjetër ish-funksionare e lartë e Ministrisë së Brendshme ka rënë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme. Bëhet fjalë për ish-zëvendësministren Rovena Voda, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me kërkesë të SPAK, ka caktuar masën e “arrestit në shtëpi”.
Sipas SPAK, Voda në cilësinë e zëvendësministres së Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë para dhe përfitime të tjera materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.
Ish-zëvendësministrja ka pranuar këto përfitime, me qëllim që të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civile në kategorinë ekzekutive.
Po për këtë procedim penal, gjykata vendosi “Arrest shtëpie” edhe për shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani, si të dyshuara për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim. Rovena Voda u emërua në pozicionin e zv/ministres së Brendshme më 22 maj të vitit 2017, ndërsa u largua prej kësaj detyre më 29 korrik të vitit të shkuar. /TIRANA TODAY