Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ka folur në lidhje me 10 personat e arrestuar për protestën tek ‘Unaza e Re’, mes të cilëve është dhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu.
Në një prononcim për News24, Paloka tha se arrestimet janë të padrejta dhe se pas tyre qëndron kryeministri Edi Rama.
“Ndalimi s’ka nevojë për koment. Janë arrestime të urdhëruara nga Rama. Në gjithë këtë periudhë që protestojnë të mbrojtur shtëpitë e tyre kanë vuajtur terrorin, dhunën e policisë të urdhëruar nga Rama. Në vend që në burg të ishin Tahir, Gjinkur, që kanë zhgërryer duart pas Ramës, futen këta banorë. Në radhë të parë nëse nuk vendoset drejtësia, jo vetëm për çështjen e ‘Unazës së re’, gjërat po shkojnë keq e më keq. Ndaj duhet të reagojmë”, deklaroi Paloka.
Ndërkoë pritet që gjatë ditës së sotme të caktohet edhe masa e dënimit për të arrestuarit, të cilët akuzohen për bllokimin e rrugës. Me ndryshimet e fundit të miratuara në Kodin Penal, bllokimi i rrugës cilësohet si një vepër penale e cila dënohet deri me 3 vite burg.
TË ARRESTUARIT
1- Ruzhdi Maqinaj
2- Safet Maksuti
3 – Benard Nezha
4 – Kujtim Ylli
5 – Bajram Noka
6 – Agron Thaçi
7 – Artan Muçmata
8 – Klevis Balliu
9 – Dritan Noku
10 – Andi Sharra