Djegia e mandateve nga dy partitë opozitare është padyshim një veprim historik që çoi vendin në krizë politike.
Menjëherë pas këtij veprimi, opozita e bashkuar vijoi me protestat e njëpasnjëshme, duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Por, djegia e mandateve nuk ka qenë një veprim unanim nga ana e opozitës, teksa pati deputetë që dolën “kundër turmës” dhe zgjodhën të qëndrojnë në Kuvend, me arsyetimin se votuesit duhet të përfaqësohen dhe se beteja e vërtetë bëhet në parlament duke u përballur me mazhorancën.
Jo vetëm kaq, por këtyre deputetëve rebelë, iu bashkuan edhe kandidatë të tjerë në listat e opozitës, duke marrë mandatet pas dorëzimit të formularit të vetdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Tashmë opozita duket sikur është ndarë në dy pjesë, teksa numri i deputetëve të opozitës ka arritur në 23, duke e çuar në total numrin e deputetëve në Kuvend në 102.
Madje, ditën e djeshme PD-LSI kanë krijuar edhe grupet e tyre parlamentare. Teksa opozita tashmë ka një përfaqësi në Kuvend, nga ana tjetër kemi aksionin opozitar jashtë tij, teksa më 11 maj pritet të mbahet protesta tjetër masive.
Opozita (jashtë Kuvendit) pretendon se nuk do hyjë në zgjedhjet lokale, ndërsa kryeministri dhe personalitete të tjera të mazhorancës deklarojnë me qetësi se zgjedhjet do të mbahen.
Në këto kushte, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë konkretisht, por mbetet vetëm të presim pasi koha do jetë ajo që do zbulojë ‘skenarët’ që do ndërmarrë konkretisht secila palë.
Tirana Today pyet qytetarët me anë të një sondazhi, se nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot, cilën parti do të votonit?
- PS
- PD
- LSI
- Tjetër
- Nuk do votoja
Klikoni linkun e mëposhtëm për të marrë pjesë në sondazh:
SONDAZH * Nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot, cilën parti do të votonit?