Një kamion me mallra të vjedhura që drejtohej nga një shqiptar, është bllokuar mbrëmjen e djeshme nga policia në Holandë.
Mësohet se autoritetet vendase i bën shenjë kamionit dhe një automjeti tjetër që e shoqëronte të ndalonte në postbllok, por ata refuzuan dhe vazhduan të ecnin.
Në këtë moment, efektivët e policisë qëlluan me armë në ajër për paralajmërim, por nuk pati asnjë të lënduar.
Sipas mediave holandeze, shoferi i kamionit dhe shoferi i dytë, si dhe pesë personat që ndodheshin në autoveturë braktisën mjetet dhe u arratisën në këmbë.
Policia mundi të arrestonte vetëm shoferin e kamionit, një 46-vjeçar shqiptar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ndërsa 6 personat e tjerë ende nuk janë gjetur edhe pas kërkimeve intensive.
Mësohet se brenda kamionit u gjetën mallra të vjedhura, të tilla si celularë, sende elektronike dhe rroba. Madje edhe vetë kamioni rezultonte i vjedhur.
Autoritetet holandeze po marrin në pyetje shqiptarin e arrestuar dhe njëkohësisht po vazhdojnë kërkimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tij të arratisur.