Kosova po ndodhet në një situatë të rëndë me pandeminë. Numri i personave të infektuar me COVID-19 ka arritur në 7.413, ndërsa vetëm në 24-orët e fundit janë konfirmuar 276 raste të reja. Betejën me koronavirusin e kanë humbur 185 persona. Ndodhur në këto kushte, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar për masa ta reja pas rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë.
Zemaj ka thënë se do të ketë kufizim të lëvizjes dhe tubimeve nga dita e nesërme. Këto masa pritet që të aprovohen nga qeveria e Kosovës.
“Edhe dje edhe sot jemi në vlerësim për të marrë masa të reja dhe sigurisht do të njoftoheni me vendimin e qeverisë që do të jenë edhe disa masa të cilat ne mendojmë që e ndihmojnë luftën ndaj COVID-19 dhe e stabilizojnë situatën epidemiologjike në Kosovë.
Në kuadër të kësaj do të ketë disa kufizime të lëvizjeve, tubimeve, takimeve. Do të ketë disa lirime aty ku e kemi parë se virusi nuk është prezent dhe mund të kontrollohet.
Këto janë tema dhe vlerësime të cilat sigurisht nëse aprovohen nga qeveria e Republikës së Kosovës do të jenë të zbatueshme nga dita e nesërme”, ka thënë Zemaj në një konferencë për media.