Nga Michael Le Page “New Scientist”
Sa mundësi keni të vdisni në rast se prekeni nga koronavirusi i ri? Pavrësisht të dhënave të shumta në shumë vende, ka ende një gamë të gjerë vlerësimesh, nga 1 në 1000, deri në 1 në 30. E qartë është se nuk ka ende një përgjigje të vetme dhe shterruese: rreziku varet nga mosha, gjinia, gjendja shëndetësore, por edhe kujdesi që merrni në spitalin që shtroheni, në rast se sëmureni rëndë nga Covid-19.
Pra, niveli i vdekshmërisë nga ky virus do të ndryshojë nga një vend në tjetër, dhe gjatë ecurisë së pandemisë. Për shembull në Britaninë e Madhe, deri në datën 2 prill kishin vekur 2921 njerëz nga 33.718 raste të konfirmuara. Pra me një normë fataliteti prej rreth 9 përqind.
Për Italinë, kjo shifër është afro 12 për qind, ndërsa për Gjermaninë vetëm 1 për qind. Nga ana tjetër shifrat nuk na tregojnë atë që duam të dimë realisht: sa prej personave të infektuarve, do të vdesin si rezultat i prekjes nga Covid-19, dhe kjo njihet edhe si shkalla e vdekshmërisë nga koronavirusi i ri.
Gjithsesi edhe kjo shkallë vdekshmërie që raportohet aktualisht, merret me shumë rezerva, dhe mund të cilësohet paraprake. Pasi ajo nuk merr në konsideratë parasysh faktin, se disa nga njerëzit e numëruar si të sëmurë nuk janë shëruar ende, dhe mundet të vdesin.
Për shembull në fillim të muajit mars, Koreja e Jugut kishte një normë vdekshmërie paraprake prej vetëm 0.6 për qind. Aktualisht, kjo normë është rritur në të paktën 1.7 për qind. Dhe midis rasteve që konsiderohen tashmë të mbyllura – pacientët kanë vdekur ose janë shëruar – shkalla e vdekshmërisë është 2.9 për qind.
Ndërkohë, dallimet midis vendeve janë gjithashtu pjesërisht të lidhura me atë se sa njerëz të moshuar janë infektuar nga koronavirusi, thotë Melinda Mills e Qendrës së Shkencave Demografike në Britaninë e Madhe. Në Korenë e Jugut dhe Gjermani, të parët që u infektuan ishin kryesisht të rinjtë.
Bazuar në atë që po ndodh në Itali, Mills dhe kolegët e saj llogaritin se nëse 10 për qind e njerëzve infektohen, atëherë ky vend do të kishte 302.530 të vdekur, për shkak të popullsisë së tij të plakur prej 61 milionë banorësh. Ndërkohë në Nigeri do të kishte vetëm 142.058 të vdekur, për shkak të popullsisë shumë më të re në moshë prej 191 milionë banorësh.
Çështja kryesore është numri real i njerëzve që janë të infektuar me Covid-19, por që shfaqin simptoma të lehta ose asnjë simptomë. Nëse numri i tyre është shumë i madh, atëherë edhe niveli i vdekshmërisë nga ky virus, do të jetë shumë më i ulët se sa niveli i vdekshmërisë në raport me rastet zyrtare të identifikuara.
Ne e dimë që Britania po teston aktualisht vetëm njerëzit e sëmurë rëndë, ndërsa mungojnë në apel shumë raste me simptoma të lehta. Ndërkohë Koreja e Jugut dhe Gjermania, kanë kryer shumë më tepër testime në popullatë.
Ekipi i Neil Ferguson në Kolegjin Mbretëror të Londrës, e ka vlerësuar numrin e rasteve të padokumentuara, bazuar në atë se sa njerëz që u evaku nga qyteti kinez i Vuhanit, rezultuan më vonë pozitivë me koronavirusin e ri. Ata arritën në përfundimin, se shkalla e vdekshmërisë nga Covid-129 në Kinë është 0.66 për qind.
Zhylien Riu nga Universiteti i Bernës në Zvicër, supozon se janë duke u zbuluar që të gjitha rastet me Covid-19 midis njerëzve me moshë mbi 80-vjeç. Ekipi i tij i eskpertëve, vlerëson se shkalla e vdekshmërisë nga ky vuris në Itali është 3.3 për qind, duke u rritur me nga 1 për qind në mesin e personave të moshës midis 50-59 vjeç, në afro 90 për qind tek ata të moshës 80-vjeç e sipër.
Ndërsa për Kinën dhe Spanjën, norma e përgjithshme e vdekshmërisë nga Covid-19 është 3 për qind. Nëse gjysma e rasteve tek personat mbi 80-vjeç nuk janë dokumentuar, kjo do të përgjysmonte këto shifra, thotë Riu. Në anën tjetër të spektrit, Xhejzën Oki nga Universiteti i Oksfordit, mendon se jo të gjitha vdekjet që i atribuohen koronavirusit, janë shkaktuar në fakt prej tij.
Ai thekson se ndërsa në Itali ka shumë vdekje, EuroMOMO, një organizatë e monitorimit të shëndetit publik, pretendon se vdekshmëria nuk është aq e madhe sa ajo gjatë sezonit të fundit më të rëndë gripit stinor në vitin 2016. Ekipi i tij, mendon se niveli i vdekshmërisë së këtij infeksioni viral mund të jetë më i ulët se 0.1 për qind. Por më 1 prill, në faqen e internetit EuroMOMO, pati një paralajmërim të fortë kundër arritjes në përfundime të tilla, bazuar në të dhënat e tij. Ndërsa ky paralajmërim u hoq pak më vonë, organizata thekson se “numri i vdekjeve në javët e fundit, duhet të interpretohet me kujdes”.
Për më tepër, është raportuar gjithashtu se një nga qytetet më të goditura italiane nga Covid-19, Nembro ka raportuar deri më tani 158 vdekje, krahasuar me 35 mesatarisht çdo vit, gjatë 5 viteve të fundit.
Por vetëm 31 nga 158 vdekjet, u regjistruan si të shkaktuara nga koronavirusi. Tani për tani, nuk mund të themi ende me siguri, se cilat janë nivelet e vdekshmërisë nga Covid-19. Kjo gjë do të nisë të bëhet më e qartë, pasi testimi i antitrupave të zbulojë se cilët kanë qenë të infektuar edhe në të kaluarën, duke marrë kësisoj në analizë edhe rastet deri tani të munguara.
TIRANA TODAY