Paraditen e sotme, kreu i qeverisë Edi Rama ka trokitur në derën e të riut Rasha, i cili humbi jetën pasi u vra nga një efektiv i Forcave ‘Shqiponja’.
Vizita e Ramës në familjen Rasha, vjen një ditë pasi qeveria shqiptare vendosi t’i japë një trajtim financiar mujor familjes së të ndjerit. Babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha, e cilësoi këtë veprim si vrasje për herë të dytë të të birit. Rasha është shprehur për mediat se e mirëpret sa herë të dojë në shtëpinë e tij Ramën, mirëpo kërkon drejtësi nga shteti.
Raportohet se vizita e tij ka zgjatur pak minuta dhe Rama shihet i shoqëruar nga dy anëtarë të familjes Rasha deri në dalje të rrugës, aty ku e priste makina e blinduar. Ende nuk dihen detaje se çfarë u diskutua sot mes familjes Rasha dhe kryeministrit.
25-vjeçari Rasha u vra mesnatën e datës 7 dhjetor, pasi nuk iu bind urdhrit të policit për të ndaluar.