Shtetet e Bashkuara sapo miratuan përdorimin e vaksinës së parë për parandalimin e infeksionit të Covid-19. Megjithatë ndërsa shkencëtarët po shpjegojnë se si prodhohen vaksinat e reja, dhe ekspertët po shprehin besimin e tyre mbi sigurinë e tyre, po qarkullojnë shumë mite rreth tyre.
Për shkak të numrit të teorive të konspiracionit që po përhapen me shpejtësi, shumë amerikanë por jo vetëm, po hezitojnë t’i besojnë vaksinës. Ja cilat janë 5 mitet më të rrezikshme në lidhje me vaksinën e koronavirusit, dhe çfarë thonë ekspertët:
Miti nr.1: Vaksinimi me një vaksinë anti-Covid, do t’ju transmetojë virusin
Jo, kjo nuk është e vërtetë. Sipas Qendrave për Parandalimin e Sëmundjeve Infektive në SHBA (CDC), asnjë nga vaksinat në zhvillim në vend nuk po përdor virusin e gjallë që shkakton Covid-19. Përkundrazi, vaksina e kompanisë Pfizer, që sapo mori autorizimin e përdorimit emergjent, por edhe vaksina e Moderna-s, që po e kërkon tani autorizimin, janë prodhuar nga ARN mesazheve (mARN).
Ajo është në thelb materiali gjenetik i koronavirusit. ARN i mëson sistemit tonë imunitar si t`a njohë dhe luftojë virusin para se t`a hasë atë. CDC vëren se ky proces mund të shkaktojë simptoma anësore si ethet. Por paralajmëron, se kjo është një shenjë normale që trupi po krijon imunitet ndaj virusit.
Miti nr.2: Nëse keni qenë të prekur nga Covid-19, vaksinat nuk do të funksionojnë tek ju
Edhe ata që janë prekur nga Covid-19 në të kaluarën, përfitojnë sërish nga vaksinimi. Edhe pse është një dukuri relativisht e rrallë, gjatë pandemisë e deri më tani, ekziston ende mundësia e ri-infektimit nga virusi i Covid-19 .Pas çdo sëmundjeje, trupi juaj zhvillon antitrupa që mund t`a luftojnë infeksionin e ardhshëm nga virusi. Ky quhet imunitet natyral. Megjithatë, ekspertët thonë se këtij imuniteti natyror nuk duhet t’i zihet shumë besë. “Ne e dimë që njerëzit janë prekur nga Covid-19 edhe 2 apo 3 herë. Prandaj Robert Houkis, drejtor i programit të asistencës mjekësore në Universitetin e Floridas, thotë se imuniteti natyror nuk ju jep një mbrojtje shtesë, ndaj këshillohet vaksinimi.
Miti nr.3: Vaksina e gripit e parandalon Covid-in
Megjithëse të dyja sëmundjet ndajnë simptoma të ngjashme, ato janë gjithsesi viruse të ndryshme, dhe nuk ka prova që mbështesin pretendimin se marrja e vaksinës së gripit, do të ofrojë mbrojtje ndaj Covid-19. Megjithatë, ka gjasa që të sëmureni njëkohësisht me grip dhe koronavirus, gjë që do t’a vendoste trupin në një presion të madh. Kjo është arsyeja pse zyrtarët e shëndetësisë theksojnë nevojën për të marrë vaksinën e gripit, sidomos në kulmin e sezonit gripal.
Miti nr.4: Vaksina anti-Covid u krijua me shumë nxitim
Kompanitë farmaceutike, kanë investuar një sasi të konsiderueshme burimesh në zhvillimin e një vaksine kundër Covid-19. Rrethanat emergjente të pandemisë globale, lejuan shtimin e fondeve dhe një prioritet që nuk ishte parë tek vaksinat e kaluara, duke u dashur rreth 8 muaj për zhvillimin e tyre, krahasuar me 5-10 vjet zakonisht.
Por, shkurtimi i kohës nuk është arritur përmes anashkalimit të protokolleve apo eliminimit të testimeve. Dhe përkundër një presionit nga zyrtarët qeveritarë, FDA-ja në SHBA nuk autorizoi përdorimin emergjent të vaksinës së koronavirusit, pa përfunduar rishikimin e pavarur dhe rigoroz të fazave të shumta të testeve klinike.
Miti nr.5: Vaksina do të zgjidhë gjithçka
Ashtu si shumica e vaksinave, shkencëtarët parashikojnë që vaksina anti-Covid nuk do të jetë 100 për qind efektive. Dhe fatkeqësisht vaksina nuk do të jetë një zgjidhje e shpejtë për pandeminë. Sapo të autorizohet përdorimi i një vaksine, shpërndarja do të marrë pak kohë, pasi sasitë në fillim do të jenë të kufizuara.
“Po flasim për qindra miliona doza që duhet të shpërndahen vetëm në SHBA, dhe ato nuk do të jenë në dispozicion menjëherë”- thotë Amesh Adalja, ekspert i sëmundjeve infektive në Qendrën Xhon Hopkins për Sigurinë Shëndetësore. Entoni Fauçi, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, deklaroi një afat kohor optimist se kur të gjithë amerikanët do të kenë qasje tek vaksina, që do të ishte prilli i vitit 2021.
Burimi i lajmit: https://www.menshealth.com/health/a34930999/covid-vaccine-myths/
Përshtatur nga TIRANA TODAY