Aktualitet

Rama në “Qendrën e Solidaritetit”, Arbër Hajdari: Gati për ndërtimin e banesave


               Publikuar në : 22:28 - 28/11/19 L M

Pas tërmetit fatal rënë mëngjesin e së martës, në Shqipëri është pllakosur dhimbja dhe trishtimi. Dhjetëra persona u nxorën të pajetë nga rrënojat e ndërtesave, ndërsa qindra të tjerë ndodhen në mëshirë të fatit.

Që në orët e para të tragjedisë, Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” është mundur të qëndrojë çdo sekondë pranë të prekurve nga tërmeti. Vullnetarët kanë udhëtuar në zonat ku dëmet kanë qenë të pallogaritshme, për të shpërndarë ndihma.

Deri më tani, për shkak të nismës “Fundjavë Ndryshe” janë grumbulluar 1.5 milionë dollarë, shumë kjo e gjeneruar nga 60 donatorë. Ky lajm i mirë është dhënë nga vetë themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, gjatë një bashkëbisedimi me kryeministrin e vendi, Edi Rama. Teksa ky i fundit zhvilloi një vizitë ditën e sotme në “Qendrën e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe”.

Kreu i qeverisë shikoi nga afër të gjithë punën e vullnetarëve në kapanonin e magazinimit të kësaj qendre.

“Këtu kemi strehuar njerëz, gatuhet. Kemi shkarkuar 40 trajlera që kanë ardhur nga Maqedonia dhe Kosova. Janë paketuar, ushqime të gatshme dhe janë shpërndarë në Durrës, Thumanë, Sukth, Laç, Lezhë, si dhe vijohet të shpërndahen kudo ku ka nevojë.

Të gjithë vullnetarët ambalazhojnë, paketojnë. Dhe me furgona nisen në pikat e nevojshme. Ushqimi gatuhet drekë dhe darkë”, u shpreh Arbër Hajdari.

Po ashtu, Hajdari kërkoi të merren masa ndëshkuese për të gjithë ata persona që kanë abuzuar dhe kanë shfrytëzuar situatën sensitive. Ndërsa u shpreh i gatshëm për t’u ulur në një tryezë me grupet e interesuara për të filluar planin e rindërtimit të banesave.

“Pak minuta më parë më çuan një informacion që ishte arrestuar njëri. Kishte hapur një faqe Rilindja dhe merrte lekë online”, iu përgjigj kryeministri.

Mes tyre u diskutua një çështje me rëndësi, se si do të veprohet për të rindërtuar banesat e personave të prekur nga tërmeti që la pasoja katastrofike.

Kryeministri Rama u shpreh se në një tryezë do të ulen përfaqësues të qeverisë, përfaqësues të organizatave solidare, si dhe “Fundjavë Ndryshe”. Të cilët më pas, bashkërisht, do të bëjnë ndarjen e detyrave. Me qëllim për krijuar një standard në planifikim, ndërtim dhe monitorimin e të ardhurave.

“Ju kontrolloni edhe atë që ne shpenzojmë nga buxheti. Ne kontrollojmë edhe atë që ju shpenzoni nga ato që keni mbledh vetë. Kjo është shumë sensitive. Aq më tepër që këtu është dhënë dhe po jepet kaq shumë lekë me zemër nga të gjithë njerëzit; dhe është e pafalshme të shkojë në duart e gabuara a të përfundojë nëpër xhepat, në vend që të shkojë në themelet programit dhe të shtëpive të reja”, theksoi Rama.

Ndërkohë, Arbër Hajdari nënvizoi se janë të gatshëm të ulen në tryezë për të filluar me ndarjen e detyrave.

Kjo tragjedi ka sjellë një sensibilizim mbarëkombëtar. Të shumtë kanë qenë shqiptarët që i janë përgjigjur apelit të kësaj dhimbjeje shqiptare.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT