Rama, emrat surprizë të të larguarve

Largimet e emrave që njiheshin si “të ekuilibruarit” brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, si Hysi, Gjermeni, Vorpsi e Baraj, dhe zëvendësimi me emra aplikimesh në “PS-në e z. Rama”, pritet të jetë edhe sfida më e madhe politike e Edi Ramës pas zgjedhjeve.

Burime pranë PS-së bëjnë të ditur se, z. Rama nuk ka pasur as konsultime me kryesinë e as me kreun e Kuvendit në këtë fushatë që tashmë po e drejton tërësisht në formatin “One man shoë”. Në fushatën e largimit z. Rama ka zgjedhur të takojë Gjermenin e Hysin, ndërkohë që një ditë më parë nga një takim i tillë largimi doli edhe ish deputeti, gazetari Alfred Peza.

“Ka qenë një politikë krejt personale, pa konsultime”, thanë burime të larguarve. Vetë Gjermeni u mjaftua në njoftimin e largimit me fjalët “Po iki shpejt”, duke lënë të kuptohej se nuk kishte qenë aspak dëshira e saj për këtë largim nga kandidimi. Në fakt, duke parë se nga lista e Durrësit largohet Gjermeni dhe mund të ngjitet Ilir Ndraxhi apo Jurgis Çyrbja ( të njohur si “investim i Avdylajve” të Shijakut dhe aferave të grupit të Lulzim Berishës ), duket se Rama tashmë i është dorëzuar interesave të biznesit dhe të fortëve.

Sipas analistëve, largimi i Hysit, Barajt, Vorpsit, Ulqinit, Gjermenit, – të cilët nuk njiheshin në PS për ndonjë lidhje afër “të fortëve” apo të jenë përfolur për afera korruptive, – tregon edhe kahun që ka marrë lista e përpiluar nga vetë Rama. Madje, në këtë listë, mësohet se nuk do të jetë as ministrja Margariti, që u lançua disa ditë më parë si një prej emrave që do të ishte në listën e kryeqytetit, e që madje, kishte nisur edhe punën në zonën që njihet si Njësia 8 në Tiranë.  (a.b)