Një tjetër rrjedhë ka marrë ngjarja e rëndë ku u ekzekutua 25 vjeçari Klodian Rasha nga një efektiv i forcave ‘Shqiponja’. Prokuroria e Tiranës ka konkretizuar akuzën për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau Klodian Rashën në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor.
“Vrasje me dashje” ka vendosur organi i akuzës për policin, i cili rrezikon deri në 20 vite burg. Kujtojmë këtu se më parë, akuza që rëndonte mbi të ishte ajo e “tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes”, me anë të së cilës rrezikonte vetëm 7 vite burg.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria ka lajmëruar se tashmë Nevaldo Hajdaraj do të akuzohet për “vrasje me dashje”, i cili rrezikon deri në 20 vite burg.
Sipas tyre, filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim edhe pamjet filmike të bizneseve pranë vendit të ngjarjes, dhe bën me dije se nga filmimi jepet një panoramë e qartë e vrasjes.
Sipas prokurorisë, efektivi ka kryer goditje sistematike me armë zjarri, ndërsa edhe është pozicionuar në momentin që ka qëlluar mbi të riun. Tashmë efektivi është në masën e “arrestit me burg”, ndërsa ndryshimi i akuzës ishte një nga kërkesat e familjes Rasha.