Shqipëria ka ende shumë punë për të kryer, para se të bëhet zyrtarisht pjesë e BE. Por presidenti francez Emanuel Makron, pati të tjera gjëra në kokë, kur refuzoi çeljen e negociatave për pranimin në union. Ai deklaroi për mediat, se nga ky vendim do të përfitonte rivalja e tij, nacionalistja Marin Le Pen në presidencialet e pranverës së 2022-it. Por edhe pa “sikletin” e Shqipërisë, Makronit nuk po i ecin punët mirë në Francë.
Popullariteti i tij është në rënie të fortë, vetëm 31 për qind, ndër më të ulëtit në historinë e vendit. Të martën, disa media raportuan se shumë deputetë të partisë së tij, La République En Marche, kanë marrë kërcënime me vdekje nga qytetarë të zemëruar nga mos mbajtja e premtimeve elektorale. Kjo ka bërë që mesin e grupit të tij parlamentar të shfaqen përçarje të forta.
Në fakt, Makron po hyn në histori si presidenti i të pasurve. Kjo mbështetet edhe nga ekonomistja Julia Cagé e Universitetit ‘SciencesPo’ në Paris, në librin e saj të fundit “Çmimi i Demokracisë”. Sipas saj 600 njerëz të pasur në Francë dhanë nga 3.5-4.5 milionë euro për fushatën elektorale të Makron në vitin 2017, që kushtoi në total 3.5 miliardë euro.
Brenda disa muajsh, presidenti i ri uli taksat për të pasurit. Nga ana tjetër, Makron ka rritur taksat për më të varfrit, dhe ka reduktuar fondet për sistemin e mbrojtjes sociale. Këto masa nxitën revoltën e të ashtuquajturve “Jelek-verdhë”, e cila siç po shihet nuk është shuar.
Krahas synimit për një mandat të ri presidencial, Makron do që të jetë pasuesi i Angela Merkelit si udhëheqësi kryesor i Bashkimit Evropian. Kjo pas largimit të pritshëm të Britanisë së Madhe, njërës nga 2 rivalet e vjetra të Parisit. Koha do të tregojë nëse do ketë sukses, apo do të dështojë në të dyja frontet./ TIRANA TODAY