E premte, 22 Janar, 2021
11 C
Tirana

Përse Enveri vendosi të eliminonte Hysniun dhe Mehmetin që në vitin ‘73

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon dëshmitë e panjohura të kolonel Idriz Seit Sadikaj, ish-ushtarak i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendëshme dhe bashkpunëtori më i ngushtë i Mehmet Shehut që nga periudha e fëmijrisë kur ishin shokë të ngushtë në fshatin Çorush të Mallakastrës, i cili në vitin 1982 u dënua me 10 vjet burg politik, si dhe dëshmitë e ish-oficerëve madhorë të Sigurimit të Shtetit T.N. e M.Gj. që kanë shërbyer shumë vjet pranë ish-sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hysni Kapo, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’, si: Ministrinë e Punëve të Brendëshme, Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Gjykatat, Hetuesinë, Prokurorinë, etj. Dëshmitë e rralla të tyre mbi misteret e vdekjes së Hysni Kapos në Paris, akuzën e Vitos drejtuar Ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, si dhe skenarin e mundshëm të Enver Hoxhës për eliminimin e Kapos dhe Shehut që në vitin 1973, kur Hoxha kaloi një infarkt të rëndë dhe jeta e tij u vu në pikpyetje, e për atë gjë, ai fillimisht bëri fajtor mjekët e tij që i’a kishte sugjeruar dhe afruar Hysni Kapo!

“Në shtatorin e vitit 1979, pasi u mësua lajmi i vdekjes së Hysni Kapos në një nga klinikat mjeksore të Parisit, ku ai ishte i shtruar prej pak ditësh dhe kurohej nga një sëmundje e rëndë, menjëherë bashkëshortja e tij Vito Kapo, takoi ministrin e Punëve të Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe mes lotëve e ngashërimeve i`u drejtua atij duke i bërtitur: ‘Pse ma helmuat Hysniun?!’ Pas kësaj akuze shumë të fortë e tepër tronditëse që ajo hodhi ndaj tij, ministri Hazbiu krejt i përmbajtur dhe i qetë i` u përgjigj: ‘Çfarë ke që më drejtohesh mua, pse nuk i thua atij…’?! Me fjalën ‘atij’, Hazbiu e kishte fjalën për Enver Hoxhën. Nënteksti i përgjigjies së Kadri Hazbiut, njeriut tepër të rafinuar dhe inteligjent, i cili kishte drejtuar organet e Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe Sigurimin e Shtetit që nga viti 1949, ishte më se i qartë për bashkëshorten e Hysni Kapos, që deri në atë kohë ishte numri ‘dy’ i Shqipërisë komuniste dhe konsiderohej si një nga njerzit kryesorë dhe më të mundshëm që do të zëvendësonte Enver Hoxhën pas vdekjes së tij.

Ajo përgjigjie fare e shkurtër që Kadri Hazbiu i dha Vito Kapos kundrejt akuzës së saj, fliste shumë! Hazbiu nuk e pohoi që bashkëshortin e saj, Hysni Kapon e kishin helmuar, por as e mohoi atë gjë! Por ai duke shfajsuar veten se nuk kishte gisht apo se nuk ishte i implikuar në atë për të cilën e akuzonte Vitua, dashur pa dashur, i linte asaj të kuptonte se: ai nuk kishte ndonjë vërejtje për akuzën e saj, por adresa ishte e gabuar dhe ajo akuzë duhej drejtuar jo ndaj tij, por mbi Enver Hoxhën”.

Kështu shprehej mes të tjerash koloneli në pension dhe ish-i burgosuri politik, Idriz Seit Sadikaj, në dëshmitë e tij me rrëfimin e bujshëm mbi misterin e vdekjes së Hysni Kapos, njeriut më të fuqishëm të shtetit komunist shqiptar që prej vitesh mbante postin e Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, (si sekretar i Komitetit Qëndror, ai kishte detyrë funksionale kontrollin mbi organet e Diktaturës së Proletariatit, Ministrinë e Brendëshme, të Mbrojtjes, Prokurorinë, Hetuesinë, etj.), e cila për herë të parë bëhet publike nga Memorie.al.

Po kështu në dëshmitë e tij, Idriz Seit Sadikaj, rrëfen edhe bisedat e tij me një nga ish oficerët e lartë të Sigurimit të Shtetit (T.N.), i cili për shumë vite me rradhë, ka shoqëruar për vizita mjeksore në Paris, krerët më të lartë të udhëheqjes së Byrosë Politike dhe shtetit komuniste shqiptar.

Po si qëndron e vërteta rreth vdekjes së Hysni Kapos dhe a ka dëshmi të tjera që hedhin dritë rreth saj? Përse njeriu më i afërt i Kapos (M.GJ.) i cili kishte qëndruar pranë tij për 35 vjet me rradhë, pas vdekjes së shefit, me lotë në sy, u thoshte njerëzve më të besuar të tij, që asokohe ishin me poste të larta në Ministrinë e Brendëshme: “Na e zhdukën Hysniun?!

Si doli përgjigjia e analizave mjeksore të Hysni Kapos të cilat u bënë në Laboratorin Qëndror të Klinikës Universitare të Tiranës, çfarë i thanë oficerët e Sigurimit mjekes laborante që bëri ato analiza dhe përse ajo e mbajti të fshehtë atë për 20 vjet me rradhë?

Përse Ramiz Alia, njeriu që u dërgua nga Enver Hoxha për t`i ndenjur pranë Hysniut në Paris, pak kohë para vdekjes, i largoi nga dhoma shoqëruesit dhe mjekët shqiptarë të cilët i shërbenin atij?

Përse i interesonte Enver Hoxhës eleminimi i Hysni Kapos dhe çfarë tha Enveri në përvjetorin e ditëlindjes së Ramiz Alisë, në vitin 1969 dhe përse Hysni Kapo e Mehmet Shehu u “nxinë” pas atyre fjalëve që nënkuptonin një farë testament që ai po linte për pasardhësin e tij?!

Përse në fundin e vitit 1973, nën kujdesin e Nexhmije Hoxhës njëri nga instruktorët e Komitetit Qëndror të PPSH-së botoi dy artikuj në “Zëri i Popullit”, lidhur me fraksionin e Sadik Premtes duke e trajtuar dhe cilësuar si ‘veprimtari armiqësore dështimin e shpartallimit të atij fraksioni’, për të cilin asokohe Enver Hoxha kishte ngarkuar direkt Hysniun në Vlorë dhe Mehmetin në Mallakastër?

Çfarë detyrash i`u kishte ngarkuar Enveri asokohe Hysniut e Mehmetit dhe cilët ishin personat që ata duhet të ekzekutonin pa gjyq në Vlorë dhe Mallakastër? Përse urdhëri i Enver Hoxhës për ekzekutimin e krerëve të Qarkorit të Vlorës, i cili ishte dhënë që në pranverën e 1942-it, u zvarrit për një vit prej tyre, saqë e detyruan Enverin të shkonte vetë në Vlorë?

Përse fshatarët e Gjormit e arrestuan Hysni Kapon kur ai shkoi të kryente rrëmbimin e ekzekutimin e “Xhepit” (Sadik Premtes) dhe Pali Terovës? Përse në vitin 1943, Enver Hoxha i tha “Sazanit”: “Ke bërë shumë mirë që ke vrarë “Dyshekun” dhe “Milon” sepse atë gjë do ta kishte bërë çdo komunist i bindur i partisë”, kurse në fillimin e viteve 1970-të, në dy shkrimet që u botuan në “Zëri i Popullit” nën kujdesin e Nexhmije Hoxhës, ata u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”, dhe në motivacionin e tyre, thuhej se ata “u vranë nga armiqtë e popullit dhe të partisë”?!

Përse Mehmet Shehut “i dogjën” ata dy artikuj, duke menduar se Enveri po përgatiste terrenin për një goditje të mundëshme ndaj tij dhe Hysni Kapos (skemë e cila kishte funksionuar dhe në eleminimin që ai u kishte bërë në të kaluarën bashkpuntorëve më të afërt dhe zëvendësave të tij, si: Nako Spiru, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, etj) dhe ai i çoi dorazi Enver Hoxhës, dy letrat, ku njeriu më i afërt i tij, “Sazani” i denonconte ata dy artikuj?!

Përse Mehmeti u qetësua kur Sekretariati i Komitetit Qëndror, i cili u mblodh pas dy letrave të “Sazanit”, i shpalli “Dëshmorë të Atdheut”, “Dyshekun” e “Milon” që u vranë tek Mulliri i Kutës dhe i tha Seitit që të mos e ngacmonte më atë çështje?!

Përse në vitin 1982, Enver Hoxha akuzoi Mehmet Shehun sikur ai e kishte sabotuar me dashje shpartallimin e fraksionit të Sadik Premtes, duke kurdisur me dinakëri “incidentin” e Mullirit të Kutës, për të cilin ai vetë në vitin 1943, në shtëpinë e Mehmetit në Çorush, kishte falenderuar “Sazanin”?!

Mbi këto mistere dhe të tjera të treshes kryesore të udhëheqjes së regjimit komunist shqiptar: Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, do njihemi nëpërmjet dëshmive që nna ka dhënë kohë më parë Idriz Seit Sadika (me pseudonimi e luftës “Sazani”) ish kolonel në Ministrinë e Brendëshme dhe njëri nga bashkëpuntorët më të afërt të Mehmet Shehut që nga koha e Luftës, si dhe dëshmitë e disa ish-oficerëve të lartë të Sigurimit të Shtetit si M.GJ. etj, të cilët kanë shërbyer për shumë vjet pranë Hysni Kapos.

Po si veproi Enver Hoxha për të goditur Hysni Kapon dhe cila ishte ngjarja që u kap ai për të cilën aty nga fundi i vitit 1973 kur jeta e tij u vu në pikpyetje të madhe për shkak të sëmundjes së rëndë që kaloi, ai filloi të përgatiste terrenin dhe skenarin e eleminimit të dy bashkëpuntorit më të ngushtë të tij duke i implikuar në veprimtari armiqësore?!

Kush ishte Idriz Seit Sadikaj?

Idriz Seiti u lind në prill të vitit 1918 në fshatin Çorush të Mallakastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila që prej tre brezash, kishin emigruar në Turqi. Shkollën fillore ai e ndoqi në fshatin e tij dhe teksa kulloste bagëtitë në kodrat përreth, ai lexonte librat e Naim Frashërit, që i merrte në bibliotekën e pasur të familjes së madhe të Shehut të Çorushit, pasi me të birin e tij, Mehmetin, ishin shokë të ngushtë. Në vitin 1932, pas një sherri në fshatin e tij, Çorush, i cili përfundoi me vrasje, Idrizi si më i vogli, e mori përsipër fajin dhe gjyqi e dënoi me 21 vite burg, nga të cilat ai vuajti shtatë vite në burgun e Beratit, nga ku doli vetëm në prillin e vitit 1939 kur u hapën dyeret e burgjeve, pas agresionit fashist Italian ndaj Shqipërisë së Mbretit Zog.

Gjatë shtatë viteve të vuajtjes së dënimit, Idrizi qëndroi pranë Kadri bej Cakranit dhe Enver bej Risilisë, të cilët e mbanin afër dhe i jepnin atij vazhdimisht libra, nga biblioteka personale që ata kishin në burg. Lidhur me këtë periudhë kohe, që Idrizi qëndroi pranë dy bejlerëve të pasur, ai shprehet se: ‘ajo ka qenë një shkollë shumë e madhe për mua’.

Në pranverën e vitit 1939, Idrizi së bashku me dy shokët që i kishte pasur në burg, kosovarin Mustafa Bajgora dhe boshnjakun Idriz Zenuni, tentuan të krijonin një çetë për të luftuar kundra italianëve, por nuk i’a arritën dot qëllimit q ëi kishin vënë vetes. Në vitin 1939, një bashkëfshatar i tij, e morri me vete dhe e futi në punë në ndërtimin e Rrugës së Krrabës dhe në Tiranë, në ndërtim banesash.

Më pas ai punoi disa kohë edhe në ndërtimin e Fushës së Aviacionit në qytetin e Kuçovës dhe në Portin e Durrësit, si përkthyes me italianët. Pas një rrahje me italianët që nuk e paguan, ai u dënua dhe bëri pesë muaj burg. Pas daljes nga burgu, miku i tij, Ministri pa Portofol, Beqir Valteri, e njoftoi se, e kërkonin përsëri italianët, për t’a dënuar dhe ai u detyrua e doli në mal, duke u bashkuar me Çetën e Pezës që e komandonte, Babë Myslymi.

Më pas ai shkoi në fshatin e tij në Çorush të Mallakastrës, ku ngriti një çetë të vogël komite, me të cilën bëri disa aksione. Në vitin 1941, ai u akuzua se kishte gisht në vrasjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjëve, dhe për këtë gjë, vazhdoi që të ndiqej nga qeveria që e kishte shpallur person në kërkim.

Në gushtin e vitit 1942, pas kthimit të shokut të tij të ngushtë, Mehmet Shehut, nga Franca, Idrizi u bashkua me të, duke u bërë krahu i djathtë i tij, si zv/komandant batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese, (ku kishte dhe gruan e tij, si zv/komisare kompanie), që u formua në Vithkuq të Korçës në gushtin e vitit 1943.

Gjatë periudhës së Luftës, idrizi kreu disa “detyra speciale” që i’a ngarkoi Mehmet Shehu dhe për ato, ai u falenderua edhe nga Enver Hoxha. Pas mbarimit të Luftës, deri në vitin 1949, Idrizi shërbeu në Ushtri dhe më pas kaloi në organet e Ministrisë së punëve të Brendëshme si oficer madhor i Sigurimit të Shtetit, duke u caktuar edhe si “Kryetar i Grupit Special, i oficerëve të kësaj ministrie, të cilët dolën nëpër male, të maskuar si “Grupet e rezistencës Antikomuniste”. Gjatë asaj kohe, ai drejtoi lojën e njohur, “Fronti i Rezistencës” dhe morri pjesë personalisht në kapjen dhe arrestimin e Zenel Shehut, Hamit Matjanit, Sul Selimes dhe shumë eksponentëve të tjerë të njohur të rezistencës antikomuniste.

Pas vitit 1955, kur u eliminuan të ashtuquajturat “Bandat e reaksionit”, Idrizi u emërua si Kryetar i Degës së Brendëshme, fillimisht në Kukës, në Lezhë dhe në Peshkopi, ku arriti deri në gradën e kolonelit. Deri në vitin 1981, Idriz Seiti shërbeu në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, si ‘Kryetar i Degës së XII-të’, e cila ishte një nga detyrat më delikate që kishte ajo ministri, (për ekzekutimin dhe groposjen e personave dhe grupeve antiparti), detyra që cilësoheshin si “Tepër sekrete të një rëndësie të veçantë”.

Në vitin 1981, pak kohë pas ngjarjes me Mehmet Shehun, Idrizi Seiti u lirua nga detyra dhe në janarin e vitit 1982, ai u arrestua, duke u akuzuar si “bashkëpunëtori më i ngushtë i ish-kryeministrit Mehmet Shehu”. Nisur nga legjendat që qarkullonin asokohe për rrezikshmërinë e tij, arrestimi i Idrizit u krye me tank dhe forca speciale të Gardës së Republikës. Pasi doli në gjyq, Idrisi u dënua me dhjetë vite burg, të cilat i vuajti kryesisht në burgun e Burrelit, (ku herë pas here i shkruante letra Enver Hoxhës), prej nga ku u lirua vetëm në marsin e vitit 1991, me të fundit të burgosur politik që lanë burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Implikimi armiqësor” i Mehmetit dhe Hysniut!

Zanafilla e ‘sebepit’ që Enver Hoxha ‘u kap’ për goditjen e Hysni Kapos, zë fill që nga koha e Luftës, ose më saktë që në qershorin e vitit 1942, kur në mbledhjen e Partisë Komuniste Shqiptare që u mbajt në fshatin Labinot të Elbasanit, dy emisarët jugosllavë që ishin atashuar pranë PKSH-së dhe kreut të saj, Enver Hoxhës, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, urdhëruan Mehmet Shehun që të likujdonte fizikisht, dy krerët e Grupit Komunist të të Rinjëve, Anastas Lulën dhe Sadik Premten, të cilët ishin pretendentët kryesorë për vendin e kreut të Partisë, (atë të Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së), i cili ishte lënë vakant që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit 1941, për t`u zgjedhur më pas në bazë të meritave që do të kishin krerët kryesorë të Komitetit Qëndror të përkohshëm, që doli nga ajo mbledhje.

Ky vendim i Konferencës së PKSH-së për eleminimin fizik të “Qorrit” (Anastas Lula) e “Xhepit” (Sadik Premtja), në bazë të statutit të parties, do t`u dërgohej për njoftim të gjitha celulave të Partisë Komuniste Shqiptare që ta punonin atë, por ky vendim nuk u punua asnjëherë në celulat e parties, gjë e cila hedh hije dyshimi se ai vendim nuk ka qenë i Konferencës së PKSH-së, por personalisht i Enver Hoxhës, për të eleminuar kundërshtarët e tij brenda parties, Lulën dhe Premten, të cilët ai i shikonte si rivalë për t`i zinin vendin e kreut të partisë.

Këtë vendim për eleminimin fizik të Sadik Premtes, (Anastas Lula u ekzekutua në marsin e 1943-it), të cilin Enver Hoxha e quante fraksionistë, ai i`ua ngarkoi Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, në majin e 1943-it.

Por Mehmeti me Hysniun, sipas letrës që u dërgoi Enver Hoxha, nuk do të eleminonin fizikisht, (duke i ekzekutuar pa gjyq) vetëm Sadik Premten, por në atë kohë, ata do të likujdonin dhe disa mbështetës e përkrahës të tij të Qarkorit Komunist të Vlorës, si Pali Terovën, të deleguarin e Komitetit Qëndror në Vlorë, si dhe Neki Ymerin (me pseudonimin “Vangjo”) e Xhemil Çakërrin, që ishin në funksionet e komandantit dhe komisarit të “Çetës Plakë” të Vlorës. Po përse Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo nuk e zbatuan urdhërin e Enver Hoxhës për eliminimin fizik të Sadik Premtes? /Memorie.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Ish-komandanti i ushtrisë boshnjake dënohet për krime lufte

Gjykata e Sarajevës e ka dënuar me 10 vjet burgim një ish-komandant të ushtrisë boshnjake, pasi erdhi në përfundimin se ai ka dështuar të...

Përgjimet/ Mafia Italiane mësyn në Tiranë, biseda për pallate dhe tendera

Antimafia e Katanzaros në Itali, ka goditur tri ditë më parë një grup mafioz, ndërsa përgjimet telefonike të personave në hetim kanë zbardhur ryshfetet...

Video/ Klopin nuk e mbajnë nervat, përplaset me trajnerin kundërshtar

Në sfidën e djeshme të Premier Ligës ku Liverpuli u mund në “Anfield” me rezultatin minimal 0-1 ndaj Bërnlit, në pushimin e këtij takimi...

Qysh sot, çdo ditë të jetë 21 Janar

Nga: Frrok Çupi Për gjithë planetin sot është data 22, por për ne shqiptarët duhet të jetë, si dje- 21 Janar. Edhe nesër, e pasnesër,...

Johnson jep alarmin: Varianti i ri i koronavirusit është më vdekjeprurës

Kryeminsitri britanik, Boris Johnson ka deklaruar se provat e hershme sugjerojnë se varianti i koronavirusit që u shfaq në vend mund të jetë 30%...