Moti i paqëndrueshëm mbi vendin tonë do të vijojë edhe për ditën e nesërme, si pasojë e kushteve të paqëndrueshme atmosferike që kanë përfshirë jo vetëm Rajonin e Ballkanit, por edhe pjesën më të madhe të kontinentit evropian.
Në këtë mënyrë, moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura në pjesën më të madhe të ditës, si dhe kthjellime e intervale me diell kryesisht gjatë orëve të para të mëngjesit. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët përgjatë vijës bregdetare dhe në zonën e jugut me intensitet deri mesatar.
Nga orët e mesditës reshjet e shiut shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, me intensitet mesatar në formën e shtrëngatave. Gjatë orëve të pasdites, në zonën e jugperëndimit reshjet me intensitet deri të lartë në formën e stuhive.
Në relievet malore në lartësitë mbi 700-800 metër reshje dëbore. Të pranishme do të bëhen mjegulla e dendur në lugina në orët e mëngjesit dhe ngrica në ekstremet malore.
Era do të fryjë me drejtim juglindje – lindje e lehtë deri në orët e mesditës, e më pas fiton intensitet dhe bëhet e fortë dhe intensive deri në 20-25m/sek, kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 1 deri në 4.
Temperaturat në vlerat minimale parashikohen nga 0°C në relievet malore, deri në 8°C në ato të ulta. Në vlerat e mesditës, temperaturat parashikohen nga 8°C në relievet malore deri në 14-15°C në ato të ulta dhe ato bregdetare.