Lideri demokrat Lulzim Basha, ka fajësuar ish-kryeministrin Berisha për humbjet e PD-së. Ai ka dhënë dje një deklaratë të fortë, ku ka zbuluar për herë të parë “çelësin” e fitores në zgjedhjet lokale të vitit 2011 përballë Ramës, në Bashkinë e Tiranës.
Gjatë një interviste për “News 24”, Basha pohoi se në vitin 2011 kishte marrë vendimin për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata e zgjedhjeve lokale. Por momentet që janë filmuar në atë kohë, tregojnë për një tjetër realitet.
Sikundër shihet qartë edhe nga kjo video, e cila gjendet lehtësisht në youtube, nga mitingu i fushatës së 2011 për Bashkinë e Tiranës, ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha qëndron krah për krah me Bashën, duke i siguruar atij mbështetje si në shumë raste të tjera.
Edhe më herët, kryedemokrati Basha ka thënë se Partia Demokratike nuk do të funksionojë kurrë si një mburojë për një person, i cili është shpallur i padëshiruar nga SHBA-ja. Kreu demokrat është shprehur se Berisha nuk mund ta marrë dot partinë, e ta kthejë atë në bunker për interesat personale të tij.