Pak pas takimit me ambasadorët e SHBA, BE-së dhe Britanisë, opozita ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Politik.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet çështja e nxehtë e listave dhe koalicioneve. Opozita thotë se do të prezantojnë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR për dy çështjet në fjalë. Kjo gjë kundërshtohet nga shumica, që e cilëson si zvarritje të procesit.
“Në vijim të mbledhjes së ditës së hënë, me qëllim gjetjen e konsensusit për kërkesën e Opozitës së Bashkuar, për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik, siç parashikohet edhe në Marrëveshjen e 14 Janarit, kërkojmë:
Thirrjen e mbledhjes së Këshillit Politik nesër, e mërkurë, në orën 10:00.
Në këtë mbledhje Opozita e Bashkuar do të prezantojë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR. Përsa më lart, mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj për mbledhjen e ditës së nesërme”, shkruan Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.