Politikë

Oerd Bylykbashi tregon kushtet për tryezën e Reformës Zgjedhore


               Publikuar në : 13:02 - 10/10/19 Enno

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi qartëson arsyet pse opozita e bashkuar kërkon një instrument jashtëparlamentar për të përfunduar Reformën Zgjedhore.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Panorama”, Bylykbashi tregon planin me 5 pika të krydemokratit Lulzim Basha, i cili, sipas tij, përcakton në mënyrë fare të qartë jo vetëm vullnetin e plotë të opozitës për t’u angazhuar në Reformën Zgjedhore, por mbi të gjitha marrjen e të gjitha masave.

Ndër të tjera, Bylykbashi thekson se kjo marrëveshje politike kërkon përgjegjësi, ndërsa shton që nuk duhet të thyhet më vonë nga kryeministri Edi Rama.

“Me marrëveshje i referohem atij teksti dispozitash ligjore që do përfshihen në Kodin Zgjedhor apo në Kodin Penal apo ligje të tjera apo çdolloj detyrimi tjetër, që heq duart e qeverisë nga procesi zgjedhor. Nj gjë duhet ta kemi të qartë. Nëse kemi një listë të ligjeve të shkelura, kjo është prova e mjaftueshme për të thënë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën në qeveri”, deklaroi Bylykbashi.

Bylykbashi, si do t’i përgjigjeni ftesës së maxhorancës për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore?

Procesi i zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODHIR, është një proces serioz. E për rrjedhojë, duhet trajtuar nga çdo parti politike në mënyrë serioze. Aktualisht, ka një plan me 5 pika nga kryetari i PD-së, z. Basha, i cili përcakton në mënyrë fare të qartë jo vetëm vullnetin e plotë të opozitës për t’u angazhuar në Reformën Zgjedhore për ato elementet teknike që duhet të zgjidhen sipas rekomandimeve të ODIHR, por mbi të gjitha marrjen e të gjitha masave, të cilat garantojnë që qeveria zbaton me vullnet të mirë kornizën aktuale ligjore, atë që Rama e ka shkelur në 2015, 2017 dhe në 2019 dhe që del vazhdimisht si rekomandim prioritar. Pra, janë rekomandime prioritare për probleme të rënda zgjedhjesh, të cilat kanë lidhje me vullnetin e keq politik të Edi Ramës e kanë çuar në shkeljen e ligjit. Nuk kanë lidhje me ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Pra, opozita, me këtë plan, bën të qartë,jo vetëm vullnetin për t’u angazhuar në reformë, por kërkon zbatimin e ligjit me vullnet politik. Ashtu siç bën propozime për reformimin e ligjit për partitë politike për të rritur transparencën e financave, por edhe për demokratizimin e partive politike, Rregullimin e balancave kushtetuese. Ne sot nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese që garanton kushtetutshmërinë e zgjedhjeve ashtu siç kemi një Kolegj Zgjedhor jo vetëm të cunguar, por edhe në presion. Ashtu siç e evidenton edhe raporti I OSBE/ODIHR. Pra, këto janë ato që kërkojmë ne, të cilat janë të gjitha pjesë e asaj që kërkon OSBE/ODIHR, kërkon Bundestagu. Vullnet politik për zbatimin e ligjit, i cili në raportin e 2019 të ODIHR përsëri thuhet se është një bazë e mirë ligjore dhe për ta përmirësuar më tepër me ato që duhet. Ama, për të qenë serioz, të gjithë ne e dimë se Parlamenti nuk ka legjitimitet, edhe aq më pak ka legjitimitet ky komision. Kështu që pa iu përgjigjur ftesës që u kemi bërë ne për gjetjen e një instrumenti jashtëparlamentar, i cili do të bëjë të mundur zbatimin e të gjithë asaj që kërkohet nga Bundestagu, nga Bashkimi Europian, nga OSBE, është e kotë të merremi me ftesa që bëjnë individë të caktuar, që nuk sjellin asgjë të re, por janë tentativa për t’u tallur me një çështje kaq të rëndësishme.

Rreth një javë më parë, Kryeministri Rama tha në Parlament se këto janë kushte dhe la të kuptohej që nuk i pranon dhe e konfirmon mbledhja e reformës ditën e enjte. Në këtë situatë, çfarë do të bëhet tashmë?

Kushtet e vetme që ka Edi Rama përpara janë ato të Bundestagut, janë shumë të hidhura për të dhe në mënyrë specifike, me fjalë të tjera, thonë të njëjtën gjë me planin që ka propozuar opozita. Nëse ne themi se duhet vullnet për zbatimin e ligjit p.sh., duhet vullnet për zbatimin e ligjit penal, që shitblerjen e votës e dënon si vepër korrupsioni. Dhe ne kemi dy dosje, “184” dhe “339”, për të cilat Bundestagu kërkon ndjekje penale. Nëse ne e themi me një fjalë dhe Bundestagu me një fjalë tjetër, në të dyja rastet është e njëjta gjë. Vullnet për zbatimin e Kodit Penal dhe ata që vjedhin votën, të shkojnë në burg. Nëse e merr si kusht se e thotë Bundestagu, le ta marrë si kusht të tillë. Ne themi se kjo është një domosdoshmëri. Pa vullnet politik, të shtojmë çdo nen të duam, Edi Rama do të vazhdojë t’i shkelë siç i ka shkelur. Ajo që kërkojmë ne është zbatimi i Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal. Të njëjtën gjë kërkon edhe Bundestagu. Ne themi të reformojmë Kodin Zgjedhor mbi ato që thotë OSBE/ODIHR, këtë thotë edhe Bundestagu. Pra, fjalën kusht le ta zbatojë tek ajo që kërkohet nga Europa. Kështu që është e kotë që Edi Rama të spërdridhet. Qoftë ajo që kërkon BE, qoftë ajo që kërkojmë ne, është e njëjta gjë. Problemin pse Edi Rama më pas ka deligjitimuar Parlamentin dhe këtë e shet si një instrument që zgjidh problemin, ky është problemi i Edi Ramës. Ajo që ne kërkojmë është një Reformë Zgjedhore, një proces zbatimi rekomandimesh të ODIHR, që është më shumë se Reforma Zgjedhore, nëpërmjet një instrumenti që është i besueshëm mbi të gjitha për shqiptarët.

A jeni konsultuar me ndërkombëtarët para se të hartonit platformën me 5 pika?

Ajo që do të duhet të dakordësojmë është vetëm gjetja e një instrumenti, i cili do na bëjë së bashku ku prezenca e faktorit ndërkombëtar i jep garanci këtij procesi dhe besueshmëri te të gjitha palët. Si për Reformën në Drejtësi, që nuk është aspak më e rëndësishme se Reforma Zgjedhore. Siç patëm një kontribut të jashtëzakonshëm nga faktori ndërkombëtar për Reformën në Drejtësi, ashtu mund të vazhdojmë të kemi një kontribut edhe në Reformën Zgjedhore. Edhe në periudhën e 2018-ës, OSBE, BE dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë ishin prezentë me kontribute. Ajo që kërkojmë këtë radhë, është që marrëveshjet politike për një çështje kaq madhore, siç është Reforma Zgjedhore, të mos thyhet të nesërmen nga Edi Rama, pasi e ka nënshkruar dhe të bashkëpunojë me bandat, por të jetë në sy të të gjithëve, në opinionin publik dhe të ndërkombëtarëve, që kjo marrëveshje të ketë mundësinë të mbijetojë siç është rënë dakord. Dhe me marrëveshje, i referohem atij teksti dispozitash ligjore që do përfshihen në Kodin Zgjedhor apo në Kodin Penal apo ligje të tjera apo çdolloj detyrimi tjetër, që heq duart e qeverisë nga procesi zgjedhor. Nj gjë duhet ta kemi të qartë. Nëse kemi një listë të ligjeve të shkelura, kjo është prova e mjaftueshme për të thënë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën në qeveri.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT