Politikë

Tre liderët shtrëngojnë duart, Rama: Ne nuk jemi prioritet i BE-së


               Publikuar në : 13:04 - 10/10/19 Enno

Tre liderët Edi Rama, Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev, kanë premtuar se do të çojnë përpara të gjitha angazhimet për bashkëpunimin e thellë midis 3 shteteve.

Gjatë konferencës së përbashkët, Rama u shpreh se angazhimet dhe projektet që synohen të çohen përpara janë dakordësuar në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se Ballkani Perëndimor nuk është më prioritet i Bashkimit Evropian, teksa shton se kjo nuk duhet t’i pengojë këto 3 shtete që ta çojnë përpara axhendën e bashkëpunimit.

“S’ka ndryshim agjende në raport me partnerët ndërkombëtarë, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioriteti i tyre është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Vuçiç u shpreh se kanë nënshkruar një dokument, i cili sipas tij përmban zbatimin e 4 lirive: lirinë e qytetarëve, lirinë e shërbimeve, lirinë e lëvizjes së mallrave dhe lirinë e kapitaleve.

“Dokumenti që kemi nënshkruar përmban zbatimin e katër lirive kyçe që janë të pranuara ndërkombëtarisht: liria e shërbimeve, liria e kapitalit, liria e qytetarëve dhe liria e lëvizjes së mallrave. Besojmë se qytetarët e vendeve tona meritojnë të ardhme më të mirë dhe standarde më të mira. Është koha që me mënyra të reja t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona. Qëllimi jonë është që deri më 2021 të mundësojmë me letërnjoftim të kalojmë kufijtë e këtyre shteteve”, deklaroi presidenti serb.

Zaev tha se takime të tilla do të shërbejnë për të krijuar një Ballkan që do të respektohet nga të tjerët, që do të jetë më tërheqës dhe konkurrent për investuesit.

“Qëllimi jonë është për standard më të madh, më shumë para dhe fuqi ekonomike më të madhe, si dhe vende të reja pune, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë, studiojnë në cilin do rajon dhe të mund të punësohen”, tha kryeministri i Maqedonisë.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT