Në kuadër të zbatimit të masave kufizuese të shpallura nga qeveria, policia njofton se ka gjobitur administratorin e një call center-i dhe atë të një lokali.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në call center, disa prej punëtorëve janë evidentuar pa masa mbrojtëse. Duke bërë që biznesi të gjobitet me një shumë prej 700 mijë lekësh.
Ndërsa lokali i gjetur i hapur në Durrës është gjobitur me shumën prej 100 mijë lekësh.
Njoftimi i Policisë:
Ndëshkohen me masë administrative, administratori i një call center-i dhe i një lokali
Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga Qeveria Shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, nga ana e Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Durrës, gjatë kontrollit të qytetit, për zbatimin e Telegramit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shtetit me Nr. 1952 Prot., datë 10.03.2020 për “Moslejimin e grumbullimeve në ambientet e hapura dhe të mbyllura”, si dhe aktit normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, gjatë ditës të sotme janë konstatuar subjektet si më poshtë:
- Subjekti call center, në lagjen nr. 1, Durrës, me përfaqësuese të autorizuar shtetasen M. Z. Pas kontrollit në ambientet e brendshme të këtij subjekti u konstatua se punonjësit nuk ishin të pajisur me masa mbrojtëse. Ky subjekt ka marrë masën administrative 700 000 lekë.
- Lokali nën administrimin e shtetases Sh. A., 51 vjeçe, me emërtimin “Bar-kafe”, në lagjen nr. 16, Durrës, ka marrë masë administrative 100 000 lekë.
Policia u bën thirrje qytetarëve t’u binden ndalesave të përcaktuara dhe të kufizojnë sa më shumë lëvizjet, për të mirën e përbashkët