Konferencën për mediat, presidenti Meta e ka mbyllur me humor, teksa ka shkaktuar të qeshura tek gazetarët e pranishëm. I pyetur nëse ishte xheloz për Ramën dhe Bashën, që janë në sinkron se negociatat do të hapen në 18 tetor, Meta tha se kjo nuk mund të ndodhë kurrë.
Ai tha se dhe Rama e di vetë që ai kurrë nuk bëhet xheloz për të. Më tej shtoi se ishte i gatshëm që t’i jepte medalje Kryeministrit, nëse do të hapeshin negociatat. “Do bëjmë një ceremoni këtu, do i jap dekoratë po u hapën negociatat. Do i jap Urdhrin e Skënderbeut, në fakt do i jap dy, një si kryeministër dhe si Ministër i Jashtëm, se i meriton të dyja. Ai po deshi le të vijë në ceremoni”.
Më tej u shpreh se Bashës dhe Kryemadhit nuk do u jap dekorata, pasi kanë braktisur institucionet. “Bashës nuk do i jap dekoratë, se ka braktisur institucionet, as Kryemadhit nuk i jap se i ka dhënë besën Ramës”. Ishin këto fjalët e Kreut të Shtetit, që sollën të qeshura në sallë.