Në PD nuk ka njeri tjetër që të jetë më i mirë sesa Lulzim Basha

Nga: Mustafa Nano

Lajmi i ditës është një dhe vetëm një: Lulzim Basha ka humbur sërish. Prandaj, një numër njerëzish, demokratë sigurisht, por edhe njerëz të tjerë, intelektualë publikë, figura publike, gazetarë etj., janë duke kërkuar dorëheqjen e tij, janë duke i kërkuar që të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike. Mes tyre ka edhe njerëz që e kanë mbështetur gjatë gjithë kohës Lulzim Bashën. Ka edhe të tjerë që janë përpjekur gjatë gjithë kohës, me sukses të plotë, t’i japin Lulzim Bashës formën e liderit që ata do të donin.

Pastaj, ka të tjerë që e kanë cytur atë të bëjë gabim pas gabimi. Të gjithë këta, por edhe të tjerë, janë duke i thënë Lulzim Bashës: “Basha ik!” Kjo është parulla e ditës. Ky është slogani i ditës. Unë, personalisht, sado paradoksale të duket, nuk bëj pjesë te këta njerëz. Unë nuk guxoj t’ia bëj këtë thirrje Bashës për arsyen e qartë se ky apel do të bjerë ne vesh të shurdhër. Askush nuk ka fuqi ta largojë Lulzim Bashën prej kreut të Partisë Demokratike.

Madje, unë shkoj dhe ca më tej, dhe këtë e them sinqerisht: në Partinë Demokratike nuk ka njeri tjetër që të jetë më i mirë sesa Lulzim Basha. Dhe këtë po jua thotë një njeri që nuk ka pikën e respektit për Lulzim Bashën. Ka mendimin më të keq të mundshëm për të. Mua Lulzim Basha nuk më ka pëlqyer kurrë. Nuk më pëlqeu as dje. Sidomos dje, me reagimin që mbajti. Reagimi i tij ishte skandaloz, të fyente inteligjencën. Avazi i njohur deri në mërzi: “Na vodhën votat!”Joooo!!! Përsëri!

Lulzim Basha u fut në garë elektorale me entuziazëm, i sigurt në fitore gjatë gjithë fushatës, të cilën e bëri të mirë, në fakt, sepse pati një rritje progresive të ndikimit të tij në shoqëri. Gjatë gjithë fushatës, ai foli për fitore. Objeksionet e tij ishin të vogla, të parëndësishme. Ai foli për fitore edhe në momentin kur u hapën kutitë dhe filluan të numërohen votat. Ai doli përpara shqiptarëve dhe tha: “Ne kemi fituar. Fitorja është brenda kutive që sapo janë hapur.” Kaluan vetëm pak orë dhe ne pamë të njëjtin person, kryetarin e të njëjtës parti, të dali përpara kamerave televizive, përpara opinionit publik shqiptar, dhe të thotë: “Votat m’u vodhën. Mafia në pushtet, narko-trafiku në pushtet, shpenzoi miliona euro për të blerë vota. Por ne jemi këtu për të mos u dorëzuar. Unë nuk do të dorëzohem. Unë kurrë nuk do t’ju zhgënjej.”

Në fakt, e tha edhe këtë shprehje: “Unë kurrë nuk do t’ju zhgënjej. Demokracia ka nevojë për ne.” Bla, bla, bla…  I njëjti Bashë që nuk të zhgënjen kurrë. Një kopje, një klon i Berishës. Një pjellë e denjë e kulturës berishiane. Dhe me kulturë berishiane nuk kam parasysh vetëm Bashën, për mënyrën se si reagoi dje duke mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, duke mos njohur humbjen. Me kulturë berishiane kam parasysh edhe sjelljen kolektive të demokratëve, të paktën të një pjese të demokratëve që ishin atje. Teksa Basha fliste, demokratët bërtisnin në kor: “Poshtë komunizmi! Poshtë komunizmi!” Këtyre njerëzve u ka ngelur ora në vitin 1990. U duket sikur janë duke luftuar kundër Enver Hoxhës, ndërkohë që përballë kanë Edi Ramën. Është e çuditshme! Është një gjë që mua më kap gjithmonë në befasi, sido që e pres prej tyre.

Këta demokratë (dhe besoj se janë një pjesë e vogël demokratësh) më kujtojnë një ushtar japonez të Luftës së Dytë Botërore, i cili për tridhjetë vite me radhë as që e pati idenë se lufta kishte mbaruar. Iu deshën tridhjetë vite që të kuptonte se Lufta e Dytë Botërore ishte mbyllur. Për tridhjetë vite, ai rravgoi, erdhi vërdallë nëpër skërkat e një ishulli në Filipine duke luftuar me ndonjë post policie, me idenë se po luftonte armikun, pushtuesin, duke u ushqyer me çfarë të mundej bashkë me disa të tjerë. Por ky ishte më stoiku.

Madje, ai nuk besonte as fletët që i hidhnin nga avionët, ku informohej se Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar dhe u bënin thirrje ushtarëve që të dorëzoheshin. Por ky nuk u dorëzua. Mbeti i vetëm në atë ishull derisa erdhi një shok, i cili i kishte premtuar gjatë luftës se do t’i vinte në ndihmë, nëse ai do të gjendej në vështirësi. Dhe ai shkoi që ta ndihmonte. Por jo në një rrethanë lufte. I shkoi me një dekret të rremë perandorak, ku thuhej se lufta kishte mbaruar dhe se forcat japoneze ishin dorëzuar. Demokratëve u duhet gjithashtu një dekret i rremë perandorak, që thotë: “Komunizmi ka vdekur. Ka vdekur një herë e mirë. Ka vdekur në vitin 1990.” Kështu, britmat “poshtë komunizmi” janë absurde. Janë një zhgjëndërr e demokratëve, prej së cilës ata duhet të heqin dorë.

Lexo edhe :   Një analizë politike e zgjedhjeve të 2021

Megjithatë unë nuk do t’u sugjeroja demokratëve që ta largonin Lulzim Bashën, për arsyen që thashë më sipër: ata nuk kanë një tjetër më të mirë sesa Lulzim Basha. Ata do të rrezikonin nëse do të largonin Lulzim Bashën dhe do të vendosnin një tjetër. Kjo për arsyen se “një tjetër” nuk ka. Nuk ka një figurë alternative. Nuk ka një lider alternativ. Nuk ka një njeri që të ketë një vizion alternativ, që të ketë premtuar, apo që ta ketë në mendje idenë, apo aspiratën për të hapur një epokë të re, një erë të re për Partinë Demokratike. Dhe kjo erë e re do të përkufizohej me përpjekjet për të deberishizuar atë parti. Mirëpo, kjo është një gjë që s’mund të ndodhë kurrë, sepse Partia Demokratike është mbushur ekskluzivisht vetëm me berishianë.

Kjo është e vetmja garë e vërtetë, gjenuine. Është një garë ku nuk ka manipulime, ku nuk ka përpjekje të dikujt për të manipuluar garën. Është gara e secilit prej tyre për të rënë në sy, për të treguar, për të dhënë prova se ai e ka xhan më shumë sesa të tjerët Sali Berishën, se ai e do më shumë sesa të tjerët atë, dhe se e vlerëson më shumë sesa të tjerët. Në këtë garë shkëlqen Lulzim Basha. Dhe ai është berishinai par excellence. Është më i zoti nga të gjithë. Prandaj, kur vjen puna këtu, gara është e fituar nga Lulzim Basha.

Dhe, përsëris, është e fituar pa truqe, pa manipulime. Lulzim Basha është më i zoti se të gjithë berishianët e Shqipërisë. Më i zoti se të gjithë berishianët demokratë, që janë anëtarë të Partisë Demokratike. Ai nuk është aq i zoti sa të mundë Edi Ramën, por ai është i zoti të mundë gjithë ditën e ditës, çdo njeri që i del përballë në Partinë Demokratike. Sikur sot të jepte dorëheqjen dhe të shpallte një garë, kjo garë nuk do të kishte fare nevojë për përpjekje për ta manipuluar atë. Ai e fiton garën në çdo moment.

Ka njerëz që thonë (dhe sipas meje, ky është një mendim racional) se nëse Basha insiston të rrijë aty, mund të ndodhë një zbrazje e Partisë Demokratike. Ajo mund të bëjë firo. Shumë njerëz mund të dezertojnë. Dje, për shembull, shumë njerëz mund të kenë parë videon e dikujt i cili bënte copa-copa teserën e Partisë Demokratike. Unë nuk mendoj se këto gjeste do të jenë të shpeshta, apo të shumta. Këto do të jenë gjeste episodike dhe do të zgjasin pak. Shumë shpejt, demokratët do t’i bëhen krahë Lulzim Bashës, sepse ëndrra e tyre është të vijnë në pushtet.

Por nuk mund të vihet në pushtet duke i dalë kundër Lulzim Bashës, i cili këmbëngul të rrijë në krye të Partisë Demokratike. I vetmi shans për ta është që të rrinë në krah të Lulzim Bashës. Madje, jo vetëm ata, por edhe të tjerë, të cilët sot po kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës, do t’i bëhen krah Lulzim Bashës. Sepse ndryshe do t’i binte që të bënin lojën e Edi Ramës, i cili i pengon për të ardhur në pushtet.

Unë jam i sigurt se Lulzim Basha do të jetë aty. Nuk ka se kush ta heq. Nuk ka se kush ta zëvendësojë. Kjo është e gjitha.