Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me zv.kryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj.
Përmes një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se është arritur dakordësia për zbatimin e një sërë marrëveshjesh, ku sipas tij do të forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy qeverive.
Po ashtu, Meta theksoi se Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e vizave me BE-në.
“Takim i përzemërt me Zv/Kryeministrin e Kosovës, z. Fatmir Limaj, i cili më njohu me dakordësinë e arritur dje ndërmjet dy qeverive për zbatimin e një sërë marrëveshjesh që do ta forcojnë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.
Vlerësuam mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluara së fundmi në Kosovë.
Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian, duke i përmbushur tërësisht të gjitha kriteret.
Forcimi i mëtejshëm i partneritetit të Kosovës me SHBA dhe BE, garanton integrimin euroatlantik të saj dhe konsolidon sigurinë në rajonin tonë”, shkruan Meta.