Bien alibitë e presidentit Ilir Meta. Ky i fundit prej dy ditësh ka marrë flamurin e mbrojtjes së Kushtetutës, duke pretenduar se me shtyrjen e zgjedhjeve po mbron të drejtat e qytetarëve. Por veprimi i presidentit, përveçse nuk bazohet në asnjë nen të Kushtetutës, është dhe konflikt i pastër interesi.
Mazhoranca pritet të bëjë një padi në Gjykatën Administrative shumë shpejt, dhe një ndër pikat që mund të rrëzojnë presidentin, është pikërisht ajo e konfliktit të interesit. Vetë Meta dje në një konferencë shtypi tha se është vetëm Gjykata Kushtetuese ajo që mund të rrëzojë dekretin e tij. Por presidenti këtu gabon.
Gazeta një ditë më parë nxori vendimin nr. 150 datë 16.06.2017 të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka të bëjë pikërisht me të njëjtën çështje. Në 2017 Partia Forca Rinia ankimoi në Kushtetuese vendimin e Bujar Nishanit për të shtyrë datën e zgjedhjeve, dhe gjykata mori një vendim që rrëzon Metën. Në këtë vendim përcaktohet qartë se nxjerrja e dekretit për zgjedhjet është akt administrativ dhe aspak kushtetues.
“Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”, thuhet në vendim.
Pra, Kushtetuesja e ka sanksionuar qartë dhe prerë se kemi të bëjmë me një akt administrativ, dhe jo kushtetues. Por nëse hapim Kodin e Procedurës Administrative të ndryshuar, neni 108 rrëzon presidentin, pasi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve, presidenti dyshohet se është në konflikt interesi. “Akti administrativ është absolutisht i pavlefshëm në rastet e mëposhtme: b) është nxjerrë nëpërmjet mashtrimit, kanosjes, mitmarrjes, konfliktit të interesit, falsifikimit apo një veprimi tjetër që përbën vepër penale”, thuhet në nenin 108.
Konflikti i interesit i Metës
Neni 108 e ka cilësuar shumë qartë se një akt administrativ quhet nul, nëse kemi të bëjmë me konflikt interesi. Pyetja që shtrohet është: A është Meta në konflikt interesi në këtë rast? Nëse analizohet situata, del qartë se kemi konflikt interesi. Meta në dekretin që nxori për të shtyrë zgjedhjet, argumentoi se e bëri këtë për të mos i mohuar opozitës të drejtën e pjesëmarrjes në votime. Madje, ai nxori dhe shifra duke thënë se PD-LSI gëzojnë gjysmën e votuesve, dhe ata nuk mund të jenë të papërfaqësuar.
Pra kemi një akt që i shërben opozitës, pasi e kërkonte dhe kjo e fundit shtyrjen e zgjedhjeve. Por kush është opozita? Partia e dytë opozitare drejtohet nga bashkëshortja e presidentit, zonja Monika Kryemadhi. Pra përmes shtyrjes së zgjedhjeve, presidenti i ka shërbyer partisë së bashkëshortes së tij.
Mund të thuhet me plot gojën se kemi konflikt interesi. Një gjë e tillë konfirmohet dhe nga juristi dhe ish-kreu i Aleancës kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, i cili ka qenë nënkryetar i KLD. “Vetëm Slobodan Milosheviç guxoi të ishte edhe kryetar shteti, por edhe gruaja kryetare opozite Mira Markoviç. Asnjë rast tjetër në botë nuk do ta gjeni. Dërgojeni dekretin në çdo gjykatë administrative apo kushtetuese, shqiptare apo ndërkombëtare dhe të jeni të bindur që dekreti do shpallet Nul”, ka deklaruar ai në rrjetet sociale. Pra, mjafton ky nen për të rrëzuar dekretin e presidentit, pasi është e qartë se kreu i shtetit po tenton të shpëtojë partinë e tij nga shkrirja. /Gazeta SOT