Është ora 16:30. Dy makina të blinduara ushtarake afrohen në pjesën veriore të aeroportit ndërkombëtar dhe të vetmit në vend. Është momenti kur vendrojat ndërrohen. Ata që kanë shërbyer, gati tu dhe me armë në dorë, shkëmbehen me dy të tjerë, të cilët do të qëndrojnë në gatishmëri edhe gjatë natës. Pikërisht, në portën nga ku më 9 prill një makinë me pesë persona në bord, sikur në filma, hyri në aeroport dhe grabiti thasët me euro dhe u largua brenda një kohe të shkurtër.
U bë më tepër se një muaj dhe kjo portë, së bashku edhe me një tjetër më në jug të aeroportit, që është ajo e zjarrfikëseve, nga ku grabitësit hynë, vazhdojnë të ruhen nga ushtria. Ndërkohë pas më shumë se një muaji nga grabitja e 6.7 milionë eurove në brendësi të vendit që duhet të kishte qenë më i sigurti dhe organet e hetimit nuk kanë drejtuar ende gishtin qartësisht mbi zyrtarët dhe nëpunësit që janë përgjegjës për thyerjen për herë të dytë të aeroportit “Nënë Tereza”.
Megjithëse hetimet, thonë burimet e Gazeta Si, janë regjistruar edhe për shpërdorim detyre, krahas kohës që ka kaluar, nuk ka ende zyrtarë apo nëpunës konkretë, ndaj të cilëve të jetë çelur procedimi penal.
Rregulla pas ngjarjes
Atëherë kur ICTS dhe TIA i kalojnë topin njëra-tjetrës për përgjegjësinë se kush duhet të garantonte sigurinë në aeroport në mënyrë që të mos përsëritej i njëjti skenar grabitjeje, lëvizja e hapur vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nën siglën e ministres aktuale, Belinda Balluku, tri ditë pas grabitjes spektakolare dhe saktësisht në datën 12 prill, rezulton të jetë urdhëruar miratimi i një rregulloreje për ndjekjen dhe raportimin e ngjarjeve në Aviacionin Civil.
Për këtë rregullore ngarkohet Aviacioni Civil dhe Organi Kombëtar i Investigimit të Incidenteve për t’i hapur rrugë më tej raportimit vjetor dhe analizimit mbi problemet e ndodhura që nga incidentet në brendësi të një avioni e deri tek ato të ndodhura në fushë. Sakaq edhe Tirana International Aeroport, që sipas ligjeve të hyra në fuqi prej vitit 2005, ka me koncesion 20-vjeçar aeroportin, ka shpallur hapjen e tenderit për kompanitë që do të garantojnë sigurinë në aeroport.
Në ftesën zyrtare në uebsajtin e TIA thuhet se preferohen kompani me përvojë në fushën e sigurisë së aeroporteve, duke përshirë edhe kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve, kontrollin e automjeteve, deri te patrullimi dhe monitorimi përmes kamerave të sigurisë. Vetë ICTS që është e ngarkuar prej vitesh me këto shërbime, siç edhe rezultoi nga dy grabitje në vite të ndryshme nuk dihet nëse do t’i drejtohet apo jo arbitrazhit, për sa po lihet të kuptohet se Shqipëria është drejt prishjes së kontratës me të.
ICTS, kush jemi ne
Nga një klikim i thjeshtë në uebsajtin e ICTS thuhet se është degë në pronësi totale të ICTS Europe, një ofrues global në shërbimin e sigurisë për aviacionin, portet dhe korporatat.
Në lidhje me njoftimin e autoriteteve për të hapur tenderin, Gazeta Si tentoi të merrte një prononcim nga administratori i ICTS, sipas të dhënave të dorëzuara në QKR, por numri i telefonit të Bernard Cumashit nuk ekzistonte.
Policia
I paprekur është lënë edhe zinxhiri i policisë së Rinasit. Ndonëse deklaratat zyrtare përjashtojnë përgjegjësinë e efektivëve të policisë, shërbimi i Kontrollit të Brendshëm që verifikon veprimet dhe mosveprimet e policisë nuk ka dalë ende me një rezultat administrativ. Siç shprehet për Gazeta Si një ekspert i policisë, nëse do të merrej i mirëqenë pretendimi se policia nuk ka asnjë akses në brendësi të aeroportit, pikëpyetje ngrihen për mënyrën se si i organizon shërbimet ky komisariat në perimetrin e jashtëm. Aty përfshihen patrullimet me shërbime të rendit, të cilat siç u konstatua për herë të dytë ishin joeficiente në territorin jashtë aeroportit që është detyrë e policisë. Asgjë nuk e pengonte policinë apo edhe shërbimin e agjentëve të policisë kriminale të kësaj policie të ishin në detyrë në ambientin e jashtëm, përderisa komisariati i Rinasit nuk ka për detyrë të merret me intervistimin e shtetasve shqiptarë që depërtohen.
Vendngjarja
Banorët e zonës janë mësuar me rikthimet e shpeshta të agjentëve që janë ngarkuar me zbardhjen e grabitjes së 9 prillit dhe zbulimin e të gjithë autorëve. Në vendin ku u gjet i vrarë Admir Murataj, pllakatës me shqiponjë dhe me germën e emrit të tij, i janë shtuar edhe luleborët e mbjella. Përgjatë shkrimit të reportazhit ne u kthyem disa herë në vendngjarje dhe konstatuam se aty një qen endacak ka bërë folenë poshtë rrënjëve të një peme dhe se dikush i sjell për të ngrënë.
Ndoshta ata që kanë vendosur edhe tavëll të zezë aty dhe që kanë pirë cigare në kujtim të shokut apo familjarit të tyre, i cili megjithëse ishte mes më të kërkuarve në Shqipëri, jo vetëm qarkullonte i lirë, por në dy raste rezultoi të përfshihej në grabitje të armatosura e të planifikuara me detaje. Lumi Tiranë, fare afër vendit ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit mes FNSH dhe grabitësve është kthyer në një zonë peshkimi, vështrimit të të cilëve nuk u shpëton asnjëri nga ata persona që zgjedhin shtegun që në zonë njihet si shtegu i hajdutëve për të dalë në drejtime të ndryshme nga ai që je nisur, siç edhe është Kamza.
Ndërkohë në burg…
Shenja e një gishti e lënë nga Alkon Bengasi, një 34-vjeçar që njihet si përdorues droge, por edhe si kushëriri dhe i besuari i Klement Çalës ka dërguar deri më tani në paraburgim përveç tij edhe pesë të tjerë. Renaldo Sula i moshës 24 vjeç, Saimir Çela 27 vjeç, Oltjan Veseli 38 vjeç, Ragip Hajdini 50 vjeç dhe Elton Pikli 32 vjeç vazhdojnë të mohojnë me forcë përfshirjen në grabitje, por ata kanë kundër fjalën e Alkond Bengasit, të cilit edhe pse pasi filloi të flasë iu premtua statusi i dëshmitarit të drejtësisë, kjo mbrojtje nuk i është dhënë ende për sa kohë ai dyshohet se nuk ka qenë i sinqertë sa duhet me prokurorët dhe përderisa e përjashton veten nga implikimi. Bengasi këmbëngul se kishte rastisur në dreka e në tavolina dhe se pas grabitjes ai kishte lidhur detajet dhe ishte bindur se grabitjen e nëntë prillit e kishin organizuar Admir Murataj (Daja), Klement Çala (Keli) dhe Daja i Kosovës (Ragipi).
Megjithatë, një nga anëtarët e hetimit mendon se duhen ende prova për t’i lidhur të gjithë të arrestuarit bashkë, disa prej të cilëve është e vështirë për të provuar që kanë qenë pjesëmarrës në aeroport. Megjithatë, raporti hetimor nënvizon se në orën 15:20, të martën e nëntë prillit, pesë persona me kamuflazh grabitën sasinë e 6.7 milionë euro teksa do transportoheshin drejt Vjenës me avionin e linjës Austria Airline.
Grabitja ndodhi gjatë kohës kur në këtë avion po imbarkoheshin pasagjerët dhe kriminelët pasi kishin hyrë me makinën me mbishkrimin “Hetimi tatimor” iu afruan vendin ku po ngarkoheshin valixhet dhe nga barku i avionit rrëmbyen nën kërcënimin e armëve shtatë thasë me vlera monetare. Por përveç Admir Muratajt, kush ishin katër të tjerët që kryen grabitjen atë ditë?
Specialistë të Policisë së Shtetit që janë të angazhuar në hetime janë të dyzuar nëse ka qenë apo jo Klement Çala fizikisht edhe në këtë operacion kriminal. Nuk përjashtohet thuhet më tej që Klement Çala është tek organizatorët e nëntë prillit, por duke marrë në analizë profilin e tij, një tip i dhunshëm dhe me temperament reagues, hetuesit nuk japin dot shpjegim se përse Admir Murataj u la i vetëm për të reaguar kundër policisë. Është e vërtetë shpjegohet më tej se edhe Admir Murataj kishte të njëjtin profil, madje nga dëshmitë ai qarkullonte përherë me armë e granata me vete sikurse edhe iu gjetën pasi u vra. Por kush ishte më i rëndësishëm në brendësi të grupit, Admir Murataj apo Klement Çala?
Pavarësisht pikëpyetjeve, të dy ata kishin zgjedhur të ruanin krahët e njëri-tjetrit që prej arratisë nga Trikalla, përderisa edhe në zonën ku kishin vendosur të fshiheshin, i kishin apartamentet përballë njëri-tjetrit, çka të bind se të dy ata kishin menduar që nëse bihej në gjurmë të tyre, njëri të kishte kohë të shpëtonte. Dhe atëherë kur nuk janë zbardhur me prova konkrete përfshirja e të gjashtë të arrestuarve, mendohet ende se pavarësisht mohimeve, Alkond Bengasi i ka dhënë ndihmë grupit për t’u larguar, dhe të tjerët gjithashtu kanë pasur rol ndihmës. Kush janë katër grabitësit e tjerë, nëse merret e mirëqenë se në fushë ishte edhe Klement Çala dhe i vëllai Eldi Çala? Sikurse në një serial, duhet thënë… hetimet vazhdojnë.(Gazeta Si)