Nga Andrea Mammone, “The Independent”
Ne jetojmë në një epokë, të karakterizuar nga kthimi i etno-nacionalizmit anti-demokratik, si dhe nga rritja e anti-intelektualizmit. Prandaj, nuk duhet të jetë surprizë fakti që institucioni më i vjetër akademik në botë, po përballet me kritika të rrezikshme nga e djathta ekstreme.
Përfaqësues nga dega e partisë qeverisëse italiane Lidhja në Emilia Romagna, kanë vënë në qendër të kritikave Universitetin e Bolonjës në asamblenë rajonale, për shkak se një nga kurset e shkencave politike, ka në program edhe një monografi (me sa duket) “anti-Salvini”.
Libri akademik, i shkruar nga dy studiues të respektuar, politologu Xhanluka Pasareli dhe sociologu Dario Tuorto, është botuar nga “Il Mulino”, një botues i madh në vend.
Ai e etiketon Lidhjen e Salvinit, një parti të ekstremit të djathtë. Autorët pohojnë gjithashtu, se partia e Salvinit shfaq tipare fashiste, ksenofobike dhe të dhunshme, duke kujtuar vitet e luftës midis dy luftërave apo aparteidit në Afrikën e Jugut. Sipas Lidhjes, rajoni i Emilia Romagna duhet të vërë në zbatim politika anti-diskriminuese, për të mbrojtur studentët ideologjikisht të afërt me këtë parti, dhe që mund të diskriminohen në një kurs të tillë studimesh në këtë universitet.
Tabloidët e krahut të djathtë, kanë ndihmuar më përhapjen e kësaj indinjate. Kjo mund të tingëllojë si një histori paradoksale qesharake, por është jashtëzakonisht serioze. Ajo flet shumë për tiparet anti-pluraliste të së djathtës ekstreme. Për përfaqësuesit rajonalë të Lidhjes, universitetet nuk duhet të promovojnë materiale “anti-partiake” apo “propagandë politike”. Ndoshta më shqetësues, është argumenti sipas të cilit për shkak se profesorët janë nëpunës publikë, ata duhet të jenë “besnikë” ndaj shtetit.
Natyrisht, një monografi që sfidon disa nga përfaqësimet më pozitive të një udhëheqësi politik, nuk është kundër shtetit në përgjithësi (të mos harrojmë që shteti dhe qeveria, janë dy subjekte të ndryshme). Ndaj deklarata të tilla, janë simptoma të një mentaliteti thuajse autoritar.
Ka edhe diçka tjetër. Aktivistët e ekstremit të djathtë, po përpiqen të ndikojnë agjendat kulturore dhe opinionin publik, duke çmontuar dhe formësuar arsimin shtetëror në të gjithë botën perëndimore. Ka një përpjekje shqetësuese për të heshtur zërat e lirë dhe të menduarit kritik, së bashku me minimin e të gjitha formave të opozitës sociale dhe kulturore.
Është sikur ora të jetë rikthyer në vitet e Italisë fashiste, duke i nxitur intelektualët dhe profesorët të jenë në përputhje me ideologjinë anti-demokratike dhe anti-liberale të autoritetit qeverisës.
Kjo është mënyra përmes së cilës, qeverisin regjimet autoritare dhe diktaturat. Dhe kjo përbën gjithashtu një pjesë të llojit të shoqërisë, të imagjinuar nga e djathta e sotme ekstreme. Nuk janë vetëm muret, gardhet, refuzimi i kulturave jo-perëndimore, përvetësimi i Krishterimit, pastërtia etnike dhe privilegjet vetëm për njerëzit e bardhë.
Pasoja është që liria e shprehjes dhe autonomia akademike, do të jenë të pranueshme, vetëm nëse ato i pëlqejnë pushtetit. Ky është qartazi një vizion i vjetëruar, dhe anti-modern të shoqërisë. Por sa larg është kjo nga ajo, që një kampion i ekstremit të djathtë si Viktor Orban, është duke u përpjekur të zbatojë në “demokracinë joliberale” të vetë-përshkruar prej tij në Hungari?
Ai është gjithashtu në përputhje me idenë e bashkësive të mbyllura dhe të pastra (ne kundrejt atyre, miq dhe armiq), të cilat fashizmi i ka kultivuar që nga vitet ndërmjet 2 luftërave. Problemi sot është që ultranacionalizmi, ekstremizmi i djathtë dhe racizmi po normalizohen, të maskuara nga slogane dhe koncepte të tilla si patriotizmi, sovraniteti, apo nga një populizëm nacionalist post-ideologjik. Ideja që Lidhja nuk është një parti e “ekstremit të djathtë”, dhe se institucionet e arsimit të lartë duhet të jenë besnike ndaj forcave qeverisëse, tregon gjithashtu diçka specifike rreth klimës aktuale në Itali.
Italia është vendi ku u shpik fjala fashizëm, dhe ku një nip i Benito Mussolinit, po kandidon në zgjedhjet evropiane për partinë Fratelli d’Italia, një lëvizje e vogël e ekstremit të djathtë e lidhur me Silvio Berluskonin. Ky është gjithashtu vendi, ku gazetari i “La Repubblica”, Paolo Berizzi, është nën mbrojtjen e shtetit që nga muaji shkurt, për shkak se po kërcënohet nga grupet neofashiste.
Kjo nostalgji fashiste, këto nënrryma antidemokratike dhe nganjëherë të dhunshme, nuk po dalin papritmas. Ato janë legjitimuar gjatë disa dekadave. Që nga ardhja e Berluskonit në skenën politike në fillim të viteve 1990, dhe nëpërmjet aleancave të tij politike me Lidhjen dhe Lëvizjen Sociale Italiane neo-fashiste, etiketa të tilla si “ekstreme” ose “fashiste” janë zhdukur si me magji nga diskursi publik, dhe duhet të zëvendësohen nga përkufizimi i tij i çuditshëm dhe i paqartë i një “koalicioni të të moderuarve”.
Në përgjithësi, media dhe opinioni publik e kanë pranuar këtë qasje, por kjo ka nxitur një mjedis, ku paragjykimet racore dhe pikëpamjet gjysmë-autoritare, mund të përhapen me pak reagim në horizont. Nëse përfundojmë duke e ndaluar lirinë intelektuale, kërkimin akademik dhe mësimin universitar, Italia do të bëhet demokracia e ardhshme joliberale, në zemër të Bashkimit Evropian.
Shënim: Andrea Mammone është bashkëpunëtor në Qendrën Robert Schuman në Institutin e Universitetit Evropian dhe një historian i Evropës Moderne në Universitetin e Londrës./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce