Merret vendimi në lidhje me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë, ku pronari i një lokali kanosi turistët spanjollë, pasi këta të fundit nuk pëlqyen shërbimin.
Gjykata e Vlorës ka dhënë masën “arrest me burg” për Mihal Kokëdhimën, pronari i lokalit në Porto Palermo. 51-vjeçari akuzohet për “Kanosje” dhe “Dëmtim të pronës me dashje”.
Ndonëse Kokëdhima nuk pranoi akuzat dhe avokatët kërkuan një masë më të lehtë, duke ofruar garanci pasurore deri në 3 mijë euro, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për pronarin e lokalit, i cili akuzohet se ka dhunuar një grup turistësh spanjollë.
Ndërkohë ai i habiti të gjithë me deklaratën e tij në gjykatë, teksa u shpreh se ai nuk kishte si qëllim t’i dëmtonte turistët por se ishin ata që e kishin marrë përpara me makinë.
“Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë nuk kam prekur njeri me dorë. Ku kanë faktet që i preka me dorë. Më rrëzuan në Qeparo, nga makina. Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar por për t’u mbajtur.
Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin, dhe unë u hodha ne kriskot. Kam dy fëmijë në shkolle në Gjermani. Ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”, u shpreh Kokëdhima.