Regjisori Edmond Budina ka folur rreth situatës së krijuar pak ditë më parë kur forcat policore dhe FNSH-ja rrethuan ambientet e Teatrit Kombëtar.
I ftuar në emisionin “Kjo javë” në News24, Budina dha disa deklarata tronditëse duke u shprehur se ai ishte dhunuar nga policia në momentin që nuk ka pasur kamera prezent.
“Kam qenë në vitin 1991 në protesta dhe ka pasur letra kërcënimi, por askush nuk ka vënë dorë. Sido të ishte, dorë nuk ka vënë njeri. Për çdonjërin nga ne ishin 3-4 policë. A thua se ne ishim trafikant droge, a ishim ata që merren me Toyota Yarisa ata që vjedhin paratë publike.
Policët ndoqën në fakt një metodë të sofistikuar. Ne ishim 40 vetë gati, ndërsa ata ishin afër 200. Ishim shumë më pak. Ata përfituan se nuk kishte kamera dhe më goditën. Edhe gratë i kapën e i hodhën këtej sikur të ishin lecka. E gjitha kjo nuk u kap nga kamerat. Të të marrin në atë formë është e tmerrshme. Jam tronditur tej mase”, tha Budina.