Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj gjigandit të teknologjisë Google si dhe platformave sociale Facebook e Twitter, me arsyetimin se ai ishte një viktimë e censurës.
Procesi gjyqësor, synon që edhe tre pronarët e këtyre kompanive gjithashtu të paditen. Në një konferencë për shtyp nga vendpushimi i tij i golfit në Bedminster, New Jersey, Trump ngriti akuzakundër kompanive të mediave sociale dhe Demokratëve, të cilët ai i akuzoi për mbështetjen e dezinformatave, shkruan BBC.
“Ne po kërkojmë t’i japim fund ndalimit, dëbimit dhe anulimit që ju e dini aq mirë. Nuk ka prova më të mira se teknologjia e madhe është jashtë kontrollit, sesa fakti që ata ndaluan presidentin e Shteteve të Bashkuara në fillim të këtij viti. Nëse ata mund ta bëjnë atë për mua, ata mund ta bëjnë me këdo”, tha Trump gjatë fjalës së tij.
Trump u pezullua nga llogaritë e tij sociale në janar të këtij viti për shkak të shqetësimeve të sigurisë publike pas trazirave të Kapitolit, të udhëhequr nga mbështetësit e tij.
Procesi gjyqësor që kërkon të ndërmarrë Trump, është kritikuar nga ekspertët ligjorë, të cilët vunë në dukje zakonin e ish-presidentit për të pasur vëmendjen e medias, dhe jo për të mbrojtur në mënyrë agresive pretendimet në gjykatë.