Kryeministri Edi Rama përmes një video-mesazhi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve të pabindur që mos të rrezikojnë gjithë shqiptarët me veprimet e tyre.
Lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri, Rama u shpreh se më e keqja mund të na ndodhë sa hap e mbyll sytë dhe mund të na marrë me vete.
Kreu i Qeverisë teksa iu referua asaj që ndodhi në tregun e Kombinatit, ku qytetarët nuk respektuan rregullat, theksoi se veprimet e tyre dalin e teprojnë për t’i bërë gjëmën jo vetëm Tiranës, por gjithë Shqipërisë.
“Më e keqja mund të na ndodhë sa hap e mbyll sytë dhe mund të na marrë me vete. Për këtë mjaftojnë pak koka të shkreta që mendojnë se mund t’ja hedhin koronavirusit. Kjo ndodh në tregun e Kombinatit dhe kjo del e tepron për t’i bërë gjëmën jo vetëm Tiranës, por gjithë Shqipërisë.
Kjo ndodh sepse disa nuk po duan akoma të kuptojnë, ku ka më keq ku nuk mund t’i japësh lamtumirën njeriut të dashur, sepse i bie të kthehesh nga varrezat i infektuar.
Nuk i ndava dot sot me ju disa pamje të frikshme të një morti në Peshkopi.
Pse, me gjoba dhe polici do e zgjidhim këtë punë edhe për funeralet?
Në Shkodër e infektuan njëri-tjetrin në një mort. Lus Zotin që mos të sjellë morti-mort.
Kur e vumë këtë fashë orare menduam se do zgjaste deri të hënën, pasnesër, por jemi të detyruar ta shtyjmë. E keqja nuk ka kaluar, por nuk ka ardhur akoma. Disave u ka mbetur sahati 12. Tirana, Shkodra, Fieri mund të bëhen vatra e COVID-19.
Do rrisim ndëshkimet dhe ata që shkelin kohëzgjatjen, do ndëshkohen deri në heqje lirie.
Na duhet të përshkallëzojmë masat që një pakicë absurde të mos marrë në qafë shumicën dërrmuese që po rezistojnë në mënyrë shembullore”, deklaroi kryeministri.