Ilir Meta ka reaguar pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit. Kreu i shtetit, Ilir Meta vlerëson aktin e Thaçit, Veselit dhe të tjerëve që dhanë dorëheqjen për tu përballur me akuzat në Hagë.
Ai shprehet i bindur në pafajësinë e tyre. Meta shton më tej se ky është një moment reflektimi, për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar.
Në një deklaratë për mediat, Thaçi njoftoi se Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte, dhe krime kundër njerëzimit. Thaçi u shpreh krenar që kishte qenë pjesë e UÇK-së, dhe theksoi se asnjë pretendim nuk mund të rishohë apo të rishkruajë historinë e Kosovës.
Statusi
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike.
Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën.
Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar.