Deri më 17 dhjetor 2010, Muhamed Buazizi, ishte një shitës ambulant i frutave dhe perimeve në një qytet të vogël tunizian. Ai fitonte mesatarisht çdo muaj 140 dollarë, me të cilën mbante veten, familjen dhe perballonte shpenzimet e motrës së vogël që kishte nisur universitetin.
I ati, një murator në profesor, kishte vdekur në Libi kur Muhamedi ishte vetëm 3-vjeç.
I detyruar nga rrethanat, ai u bë që adoleshent shtylla e shtëpisë, duke e braktisur herët shkollën. Qyteza Sidi Buzid, ishte shumë e varfër. Shkalla e papunësisë aty ishte mbi 30 për qind. Ndaj tezga modeste ishte jetike për familjen e Buazizit. I varfëri e ka zakonisht të vogël pasurinë, por të madhe zemrën.
Dhe Muhamedi i ndihmonte shpesh bashkëqytetarët e tij të varfër si ai, duke u dhënë shpeshherë falas fruta dhe perime nga karroca e tij modeste. Kjo deri më 17 dhjetor të 9 viteve më parë, kur ai i vuri vetes flakën në shenjë revolte në prani të qindra të pranishmëve, duke humbur jetën në spital disa ditë më vonë.
Vetëm një ditë më sparë, policia i kishte sekuestruar karrocën, bashku më mallin që kishte në të.
Miqtë dhe familjarët e tij, dëshmuan më vonë se oficerët e policisë lokale, e kishin keqtrajtuar Buazizin për vite më radhë, që gjatë fëmijërisë së tij të vështirë, duke ia sekuestruar rregullisht karrocën e tij të vogël me produkte.
Një ditë më herët, ai kishte marrë rreth 200 dollarë borxh, për të blerë prodhimet që do të shiste të nesërmen. Mëngjesin e 17 dhjetorit, ai e nisi ditën e tij të punës në orën 8. Rreth orës 10:30, policia nisi ta ngacmonte përsëri, me pretekstin se nuk kishte leje për të shitur. Por autoritetet vendore, bënë të ditura më vonë se në Tunizi, nuk ka nevojë të kesh një leje për të shitur me një karrocë.
Buazizi nuk kishte mjaftueshëm para, për t’u dhënë rryshfet zyrtarëve të policisë. Dëshmitarë okularë thanë se ai u poshtëruar publikisht, kur një oficere grua e policisë e qëlloi me shpullë dhe e pështyu, ia mori peshoren elektronike, dhe ia përmbysi karrocën me fruta dhe perime.
I tronditur, Buazizi shkoi në zyrën e kryetarit të bashkisë për t’u ankuar. Por ai refuzoi ta priste, edhe pasi Muhamed u citua të thoshte:”Nëse nuk më takoni tani, do të vetëdigjem!”. Më pas ai bleu një bidon me benzinë në një benzinatë aty pranë, dhe u rikthye para zyrës së kryebashkiakut. Teksa qëndronte në mes të trafikut, ai nisi të ulëriste:”Si prisni që unë të siguroj bukën e gojës?”.
Më pas e leu veten me bnzinë dhe i vuri flakën vetes, në prani të shumë njerëzve, mes të cilëve edhe xhaxhai i tij. Njerëzit u tmerruan nga ai akt ekstrem, ndërsa njëri prej tyre u përpoq ta shuante me ujë. Para se të arrinin të fiknin flakët, Buazizi kishte pësuar djegie në mbi 90 përqind të trupit të tij.
Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e zonës, dhe më pas u transferua në spitalin kryesor të kryeqytetit. Më 31 dhjetor 2010, mjekët raportuan se Buazizi ishte në gjendje të qëndrueshme, dhe se ai kishte gjasa të mbijetonte. Në fakt, ai mbeti në gjendje kome deri në vdekjen e tij.
I riu u vizitua në spital nga presidenti i atëhershëm i vendit, Zine El Abidine Ben Ali. Sipas nënës së të ndjerit, Ben Ali premtoi ta dërgonte për kurim në Francë. Por kjo nuk ndodhi. Muhamed Buazizi vdiq më 4 janar 2011, në 5:30 të pasdites. Në funeralin e tij, morën pjesë më shumë se 5.000 njerëz.
Policia nuk lejoi që kortezhi mortor të kalonte pranë vendit, ku ishte vetë-djegur Buazizi. Nga turma, shumë njerëz nisën të brohorasin “Lamtumirë, Muhamed, ne do ta marrim hakun tënd!”.
Të indinjuar nga ngjarjet që çuan në vetëvrasjen e Buazizit, protestat në Sidi Buzid nisën disa orë më vonë. Përpjekjet e policisë për të shtypur trazirat, vetëm sa i përshkallëzuan ato. Demonstratat u përhapën me shpejtësi, duke u zhvendosur në rajonet më të pasura, dhe në fund në kryeqytetin Tuniz.
Zemërimi popullor dhe dhuna u bë aq e madhe, saqë presidenti Ben Ali u largua nga Tunizia, bashkë me familjen e tij më 14 janar 2011. Ai tentoi të shkonte në Paris, por u refuzua nga qeveria Franceze. Ben Ali u mirëprit me një mori kushtesh nga Arabia, ku kryesoret ishin mosdalja në media, dhe mospjesëmarrja në politikë.
Në këtë mënyrë, ai i dha fund sundimit të tij 23-vjeçar. Trazirat në Tunizi, vazhduan edhe në javët në vijim. Pas vetëflijimit të Buazizit, qeveria kreu formalisht një hetim mbi rastin. Në fillim Faida Hamdi, oficerja e policisë që poshtroi Buazizin, u pezullua nga detyra.
Më vonë, u arrestua me urdhër të presidentit Ben Ali, dhe u mbajt në një burg në një qytet të paspecifikuar. Në 19 prill 2011, ranë akuzat ndaj Hamdi, pasi e ëma e Muhamedit e tërhoqi padinë ndaj saj, me shpresën se kjo do të paqtonte banorët e Sidi Buzid. Akti ekstrem i Buazizit, shkaktoi “efektin Verter” në mbarë rajonin.
Po në janar shpërthyen protesta të fuqishme popullore në Oman, Jemen, Egjipt, Siri dhe Marok. Më 25 Janar 2011, qindra mijëra protestues u mblodhën në Sheshin Tahrir të Kajros në Egjipt. Ata kërkuan dorëheqjen e presidentit Hosni Mubarak. Policia tentoi të shpërndajë protestën me forcë, dhe për pasojë gjetën vdekjen dhjetëra protestues dhe policë.
Mubarak tha dorëheqjen më 11 shkurt 2011, pas 3 dekadash në pushtet. Më 15 shkurt shpërthyen trazitat edhe në Libi kundër regjimit të Muamar Gadafi. Ato u përshkallëzuan në një luftë civile, që do të përfundonte në tetor të atij viti me vrasjen e Gadafit, shkatërrimin e vendit, dhe mijëra të vrarë e të plagosur.
Ndërkohë më 15 mars, nisën protestat edhe në Siri kundër sundimit të Bashar Al-Asadit. Lufta civile që pasoi vazhdon ende sot. Ajo ka shkaktuar afro 600 mijë të vdekur, dhe miliona refugjatë. E ashtuquajtura “Pranverë Arabe”, shkaktoi rrëzimin e presidentit të Jemenit Ali Abdullah Saleh, një ngjarje që sërish u pasua nga një luftë civile që vazhdon akoma.
As Egjipti nuk gjeti qetësi. Vëllazëria Myslimane që fitoi zgjedhjet e para post-Mubarak, u rrëzua pas një grushti shteti në vitin 2013, dhe në krye erdhi gjenerali Abdel Fatah-Al Sisi, që vazhdon të sundojë me një grusht të hekurt. Për shkak se shumë vende arabe, ranë nga shiu në breshër, “Pranvera Arabe”, quhet tani nga shumëkush “Dimri Arab”.
Megjithatë shumë analistë vlerësojnë faktin, që pas shumë dekadash nën sundime autoritare, shoqëritë e Lindjes se Mesme dhe Afrikës së Veriut, treguan se dinë të rebelohen dhe të aspirojnë për demokraci. Për këtë arsye, në vitin 2011 Muhamed Buazizit iu dha pas vdekjes Çmimi Sakharov, për kontributin e tij në “ndryshimet historike në botën arabe”. Britanikja “The Times” e shpalli atë “Njeriun e vitit 2011”, ndërsa një shesh në Paris mban sot emrin e tij. / TIRANA TODAY