E enjte, 21 Tetor, 2021
8.5 C
Tirana

Kur Berisha kopjon Nanon, i Treti merr edhe të katërtin

Nga: Lorenc Vangjeli

Pas Tiranës, Fieri. Pas Fierit ndoshta Shkodra. Dhe bashkë me Tiranën, Fierin, Shkodrën dhe qytetet e tjerë në gjithë Shqipërinë, Doktori do të luftojë betejën e tij të rradhës. Me faltoren për demokratën dhe me armën që e përdor herë si lodër të pafalshme, herë si armë ndaj fajtorëve që i gjykon po vetë si të tillë.

Fiks 20 vjet më parë, por pa Facebook se nuk ishte krijuar ende, të njëjtën gjë ka bërë edhe Fatos Nano. Ish-socialisti atëherë ishte sulur të rrëzonte Ilir Metën, sot Sali Berisha po tenton hakmarrje ndaj Lulzim Bashës, i cili i ka bërë atij vetë, fiks atë çka ai i ka bërë për vite më rradhë, një aradhe të pafundme demokratësh që e zemëronin në rrugën drejt pushtetit. Njëri sot me ujë, tjetri dje me xhin, ata vazhdojnë të jenë dy nga krijesat më të çuditshme, më kontraverse e kundërthënëse që prodhoi tranzicioni i çuditshëm, kontravers dhe kundërthënës shqiptar. Ata vazhdojnë të jetë individët proverbialë që evolucioni dhe jo revolucioni i munguar i mbas 90-tës, ju dha mundësi të vizatojnë tiparet e shoqërisë shqiptare në pothuajdemokraci.

I pari e fitoi betejën e tij, por humbën socialistët. Nano u rikthye si kryeministër, por diagnoza që i bëri partisë së tij të brejtur nga lufta e brendshme për pushtet, bindi në shumicë shqiptarët se PS-ja ishte sëmurë. Dhe se e vetmja kurë për të ishte dorëzimi i pushtetit. Për paradoks, një hokatar au iu dhe agnostik si Nano, u bë njeriu i parë që arriti të ngjallte të vdekurin, mbasi Jezu Krishtit. Jezu Krishti i tha Shën Llazarit: Ngrihu dhe eja! Nano i tha Berishës: Eja dhe ngrihu në pushtet!

Në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin stil, me të njëjtat fjalë e qëndrime, me diferencën e vetme në kohë dhe lodhje, por me shumë më shumë ambicje, Sali Berisha po bën me Lulzim Bashën “remake” të asaj që ka ndodhur 20 vjet më parë me Ilir Metën. “Partia Demokratike do të dalë më e fortë nga kjo betejë”, thotë Doktori duke premtuar atë që e di fare mirë që nuk realizohet.

Atëherë nga fshati i Babë Myslymit, Peza, Fatos Nano nisi sjelljen e tij si baba i socialistëve të pakënaqur, tani duke nisur me interierët modernë të Rogner-it, me Fierin dhe Facebook-un, ish-lideri i PD-së, po vetafrohet si alternative për partinë e tij.

Lexo edhe :   Berisha kërcënon me një ‘97-të të dytë, deputetët e Dibrës braktisin "Foltoren"

Furtuna që ka shpërthyer në Partinë Demokratike është e mjaftë për ta thyer atë si gotë të krisur shumë herë më parë. Ajo do të tkurrë më tej shifrat e atyre që besojnë në një mundësi tjetër përtej Edi Ramës dhe do të tregojë në pazarin politik ditë mbas dite papastërtinë e plaçkave të palara të SHQUP-it. Do të nxjerrë në dritë sekrete të vogla e të mëdha, kompromise dhe kulisa, buzëqeshje me thika të së shkuarës mbas shpine dhe do të mprehë thika urrejtjeje për të ardhmen. Ilir Meta atëherë edhe pse u largua, mundi të mbijetojë duke u ringjitur aty ku askush tjetër përpara tij nuk ka shkuar duke provuar praktikisht çdo kënd e kulm të pushtetit.

Lexo edhe :   Kush janë deputetët e PD, të ndarë pro Bashës dhe pro Berishës

Shanset për atë që do të ndodhë nesër me Lulzim Bashën, flasin të gjitha kundër Sali Berishës. Edhe sikur një ditë, “demokratë” të zemëruar, të ndalojnë në mënyrë “spontane” hyrjen në seli të kryetarit Basha. Edhe nëse me stilin e zakonshëm të Oso Kukës, Berisha hedh në erë PD-në dhe detyron Bashën të japë dorëheqje nën presion, kjo nuk do të ndryshojë asgjë në fatin e tij.

Ndryshe nga Fatos Nano 20 vjet më parë, ai do të humbasë edhe nëse fiton betejën e tij.

Meqënëse e liga sillet shpesh si trokitje në derë për ta hapur atë për të keqe të tjera, bashkë me këtë humbje, Doktori padyshim do të jetë një nga firmosësit e mandatit të katër të Edi Ramës. Në prolog të mandatit të tretë të sapomarrë, Rama mund të dëshmojë qartë se suksesi në Tiranën politike nuk vjen vetëm nga aftësia e konfirmuar vetjake, por ka nevojë për aleancën e panatyrshme me paaftësinë ulëritëse të kundërshtarit.

I duhet edhe stili egoist e feudal i sjelljes së Doktorit me pushtetin dhe ndaj pushtetit. Dhe mbi të gjitha, i nevojitet që në Tiranë të vijnë rrotull pak a shumë të njëjtët portrete politikë, për të kuptuar sesa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë dhe për t’u rikonfirmuar, për paradoks, edhe për një mandat të katërt privat në pushtet.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Paloka reagon pas deklaratës së Bashës: Ndal përçarjen!

Deputeti i PD-së dhe njëherazi kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, ka reaguar pas deklaratës së liderit të partisë Lulzim Basha, i cili tha...

77 mandate PS-ja?

Nga: Eduard Zaloshnja “Do të kishim marrë jo 74, por 77 mandate, nëse shumë nga ata që na votuan nuk do të kishin ngatërruar numrin...

‘Reshje shiu me intensitet të ulët’, parashikimi i motit për nesër

Duke filluar nga dita e nesërme, mbi vendin tonë depërtojnë gradualisht masa ajrore të paqëndrueshme me origjinë veriperëndimore. Moti parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash...

A duhet shtetëzuar transporti urban?

Nga: Klodian Tomorri Ka patur një debat mes ekonomistëve nëse shërbimi i transportit urban është apo jo monopol natyror? Evans në vitin 1991 studioi shërbimin...

Do jepni dorëheqjen nga PD? Basha: 95% e demokratëve më duan

Në një prononcim për gazetarët nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha tha se 95% e demokratëve e duan në krye të betejës. Nga ana...