Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbrojti fuqishëm masat e trajtimit të pandemisë COVID-19 nga ana e OBSH-së.
“Pra, këshillat e mia, tre gjëra. Ju lutemi për unitet në nivel kombëtar, pa e përdorur pandeminë për pikë politike. Së dyti, solidaritet i sinqertë në nivelin global. Dhe, udhëheqje e ndershme nga SHBA-ja dhe Kina”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve të mos “politizojnë” virusin.
Komentet e tij u bënë pasi u pyet të komentojë deklaratat e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka thënë se mund të rishikonte fondet ndaj OBSH-së.
Drejtori i OBSH-së, hodhi poshtë edhe kritikat e Trump-it, se agjencia që ai e udhëheq është shumë më e afërt me Kinën, shkruan “Rel”.