Ish-kreu i Aleancës Kuqezi dhe juristi i njohur shqiptar, Kreshnik Spahiu, ka bërë një deklaratë “bombë”, teksa ka zbuluar për herë të parë se plot 178 politikanë dhe pronarë mediash nga Shqipëria, sipas tij, janë shpallur “Non Grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një pjese të së cilëve siç thotë ai, vendimi iu është komunikuar privatisht. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT” dhe ndërsa trajton çështje të ndryshme, zoti Spahiu akuzon katërshen e politikës Ilir Metën, Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën që në këto 30 vite kanë menduar vetëm për interesin e tyre dhe jo për qytetarët. Duke komentuar ambicien e ish-kryeministrit për t’u kthyer në krye të Partisë Demokratike dhe sulmet e akuzat e këtij të fundit në adresë të amerikanëve, juristi Spahiu theksoi se Sali Berisha përbën rrezik për projektet amerikane në Ballkan dhe Europë.
-Zoti Spahiu, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “Non Grata” këtë javë 7 persona “VIP” nga Ballkani, 2 prej të cilëve i përkasin Shqipërisë, siç janë ish-deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi. Si e shikoni këtë vendim?
Ka një dallim te dukshëm por që shqiptarët nuk e kanë lexuar si duhet. Sali Berishën e shpalli “Non Grata” Departamenti Shtetit, ndërsa Aqif Rakipin dhe Ylli Ndoqi nga Departamenti Thesarit, duke ju shpallur sekuestro të pasurive. Në thelb janë dy ministri të ndryshme. Le të themi për Sali Berishën nuk ka ende një vendim nga Departamenti Thesarit për sekuestrim pasurish apo llogarish bankare. Ky ishte detaj që mediat duhet ta analizonte dhe kërkonte sqarim.
-Menjëherë pasi lajmi i DASH u pasqyrua në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe në media, ju reaguat në rrjetet speciale teksa paralajmëruat se lista është e gjatë dhe do të ketë të tjerë emra të sanksionuar “Non Grata”, sidomos nga Shqipëria. Mund të na japësh më shumë detaje? Kush janë dhe cilës fushe i përkasin…
Po 99% të emrave dihen. Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në SHBA 178 politikanëve dhe pronarëve të mediave. Sot asnjë pronar mediash të mëdha nuk udhëton dot në SHBA. Në mënyrë private ambasada amerikane i ka njoftuar personalisht politikanët dhe pronarët e mediave që janë të padëshiruar në SHBA. Ajo çfarë pritet është dallimi i publikimit nga mbajtja konfidenciale. SHBA do vazhdoj të publikoj shpalljet Non-Grata të atyre mediave dhe politikanëve që nuk e ndalin aktivitetin dhe propagandën anti-amerikane
-Ju jeni një ndër më juristët më të mirë që ka Shqipëria, kështu që më lejoni t’ju pyes se kush janë pasojat për një person “Non Grata”. Çfarë rrezikon ai ose ajo në aspektin e përgjithshëm…
Gjykoj që ka shumë pasoja politike, ligjore, sociale dhe morale. Shpallja “Non Grata” është paradhoma e ndëshkimit dhe izolimit ndërkombëtar. Është e çuditshme që disa shqiptarë e interpretojnë “Non Grata-n” vetëm si mos lejim udhëtimi në Amerikë. Janë totalisht dy masa të ndryshme.
Psh: Albin Kurtit ju ndalua udhëtimi në Amerikë, por nuk u shpall asnjëherë “Non Grata”.
Heqja e vizës nuk është shpallje “Non Grata”. Shpallja “Non Grata” përkthehet: “Person i padëshiruar, sepse për shkak të veprimtarisë së tij përbën rrezik për rendin kushtetues të vendit tij dhe shtetit që e shpall.” Sali Berisha përbën rrezik për projektet amerikane në Ballkan dhe Europë.
-Duke qenë se arsyeja kryesore që ka detyruar DASH për të shpallur dikë të pa dëshiruar është përfshirja në korrupsion, krim të organizuar, pastrim parash, destabilitet dhe minim të demokracisë, a duhet që në lojë të hyjë SPAK dhe nis hetimet?
SPAK duhet kryej një veprim shumë të thjesht: Juridikisht SPAK duhet kërkoj “Letër porosi” në bazë Kodit Proçedurës Penale në Uashington dhe kërkoj provat për çdo person që shpallet Non-Grata si mundësi për fillimin e proçedimit penal mbi fakte të mbledhura nga shërbimet inteligjente.
-Ka zëra se dhe presidenti Ilir Meta rrezikon të shpallet “Non Grata” nga DASH. Sa qëndrojnë dhe ju i besoni?
Unë gjykoj që SHBA do testoj 6 muaj qëndrimet e Ilir Metës pasi të largohet nga President.
Nëse Ilir Meta do shpall koalicion me Berishën atëhere gjykoj se do përfshihet në listën e zyrtarëve “Non Grata”, por nëse ai nuk bashkohet me Sali Berishën, ndoshta SHBA nuk do e e ndëshkoj. Është ende shpejt për ta thënë. Do ishte barrë e rëndë për Imazhin e Shqipërisë nëse Presidenti dhe ish-kryeministri shpallen “Non Grata” sepse kjo s’ka ndodhur as në lindjen e mesme, as Afganistan, as Irak, as Siri.
-Si e shikoni protagonizmin e Ilir Metës dhe ambicien e tij për t’u rikthyer në politikë?
Çmenduri Ballkanike. Ka disa arsye pse Meta, Berisha, Basha, Rama nuk largohen nga politika:
– politika ju krijon imunitet dhe ruhen nga ligji
– politika i bën të paprekshëm
– politika ju pastron paratë
– politika ju mbron bizneset
– Politika i mban sipër popullit
– si dhe ata nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër në jetë përveç politikës.
E imagjinoni dot që Rama të kthehet piktor, Basha të kthehet përkthyes, Berisha të rikthehet mjek, apo Meta të rikthehet shtangist?
-A ka Ilir Meta një pakt me Sali Berishën për t’u katapultuar në krye të PD dhe opozitës shqiptare?
Jo, jo Sali Berisha nuk i beson më as xhaketës që ka veshur. Pas kësaj që ndodhi me Bashën, Berisha nuk zgjedh një Lulzim tjetër. Berisha do zgjidhet përjetë kryetar i PD dhe nuk do largohet nga aty deri sa të vdes.
-Keni një koment për situatën në Partinë Demokratike?
Partia Demokratike duhet të shpallte shpërndarjen. Sa më shumë vonohet shkrirja e PD, aq më gjatë do kemi Ramën në pushtet. Unë kam bindjen që “lufta” Berisha-Basha ishte lojë për t’i hedhur hi syve amerikanëve. Nuk ka asnjë shans që Lul Basha të kish kurajë ta flakte rrugëve Berishën dhe përdorte dhunë apo dyer të blinduara. Thjesht ka qenë skenar, që populli nuk e kupton.
-Sipas jush, kush është receta që mund të ndihmojë PD-në të dalë nga kriza që e ka mbërthyer prej muajsh?
Shkrirja apo ndarja e PD dhe krijimi një opozite të re. PD ka 24 vjet që nuk kalon 51% në zgjedhje. Nëse kërkohet zgjedhje nga PD nuk do vij kurrë. Votat e PD janë të pamjaftueshme për rotacion. Duhet krijimi i një opozite të re, pjesë e së cilës në të ardhmen mund ta bashkohet edhe PD, por jo si lidere e opozitës sepse e ka humbur këtë rol.
-Si e shikoni lëvizjen e Sali Berishës?
Lëvizje e kalkuluar. Berisha nuk është larguar kurrë nga drejtimi i PD. Ai aty ka qenë gjithmonë.
Ai nuk u largua as në 2013. Ai planifikoj vendosjen e Bashës që ta largonte një ditë duke i faturuar humbjen dhe që vet Berisha te rikthehej si fitimtar dhe pa asnje përgjegjësi. Ky është Film, skenari i të ciilit lexohet thjesht nga çdo kush që nuk është i verbër apo injorant ne politike.
-Ndërkohë, ish-kryeministri Berisha vijon “luftën” me amerikanët, ku thuajse çdo ditë sulmon dhe hedh akuza të forta në adresë të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim e madje edhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. A është normale që të sulmohen diplomatët e një vendi mik, sikundër është SHBA-ja për Shqipërinë?
Lufta e tij kundër diplomacisë amerikane nuk ka fillimin dhe mbarimin gjatë mandatit të ambasadores Yuri Kim. Sali Berisha ka 25 vjet përplasje dhe beteja me 7 ambasadorët amerikan: Mariza Lino, Jossef Lipreht, Jahmes Jeffry, John Ëothers, Alexandër Arvizu, Donald Lu, Yuri Kim. Qindra akuza ndaj ambasadorëve amerikanë dhe zero kundër ambasadorëve rus.
Sulme dhe shpifje të strukturuara. Intriga nga më të ndryshmet duke i akuzuar:
– të korruptuar
– guvernator të emëruar
– kineze
– komunistë
– sorosista
– Feministë
– duar të pista
Berisha kur akuzon amerikanët si të korruptuar nuk nxjerr asnjë provë, ndërsa kur ata e akuzojnë atë si të korruptuar i padit në Francë dhe u kërkon prova se ku bazohen që e quajnë familje e korruptuar. Dy standarde për të njëjtën akuzë.
-Keni një koment për qeverinë “Rama 3”? Si ju duket…
Qeveria “Rama 3” më duket një dështim, që çdo opozitë do e kishte rrëzuar nga pushteti, me përjashtim të Partisë Demokratike. Rama ka lindur me këmishë, duke pasur Berishën përballë.
-Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor dhe amnisti fiskale për paratë e emigrantëve. Si e shihni këtë iniciativë të mazhorancës qeverisëse socialiste?
Ky nuk është problem shqiptar por global. Deri në vitin 2030 çdo vend i BE do legalizoj përdorimin e Kanabis. Është harxhim kohe debati për diçka, të cilën Europa e ka studiuar më mirë se ne. Parandalimi vjen nga legalizimi.
-Le të dalim pak dhe përqendrohemi tek reforma në drejtësi. Si ju duket ecuria e saj?
Energji të çuara dëm. Nuk reformohet drejtësia, nëse nuk reformon politikën. Studimi i Transparency International ka provuar në 180 shtete që niveli gjyqësorit funksionon paralel me politikën. Nuk mund kesh një gjyqësor të pastër dhe një sistem politik të korruptuar. Të dyja janë nofulla të së njëjtës gojë.
-A ka ardhur koha që në Shqipëri të shohim arrestime në nivel të lartë zyrtarësh?
Jo nuk ka ardhur sepse ka një marrëveshje “historike” mes 4-shes Rama-Berisha-Meta-Basha që mos burgosin njëri-tjetrin. Ka dy dekada që ata janë besnik të marrëveshjes dhe unë mendoj që çdo ambasador amerikan do dështoj për arrestime për sa kohë këta të 4 do i përmbahem pazarit me njëri tjetrin. Ata kanë shumë frikë se mund hapet precedenti arrestimeve dhe në këtë pikë janë shumë solidar të 4. Nuk është faji SPAK që nuk arrestohen, por këta të 4 bashkë janë më të fuqishëm se SPAK.
-Sipas jush, a duhet të zbardhen dosjet e bujshme si “21 Janari” apo “Gërdeci”?
Jo nuk do zbardhen kurrë…
-Si përfundim, më lejoni t’ju pyes për luftën Rusi-Ukrainë. Si e shihni?
Unë e shoh si preludin e një rendi të ri botëror, i cili synon këmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Kriza e luftës do prek shumë vendet e varfëra, por mund të jetë një mundësi për shqiptarët që në fund të konfliktit mund të krijojnë shtetin e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Ndërkohë lufta po konsolidon zonat e influencës dhe rikthimin e Luftës se Ftohtë. Fatmirësisht këtë radhë jemi brenda murit amerikan. Ballkani do mbetet në influence të plotë amerikane, prandaj SHBA po nxiton të filtroj elitat politike në Ballkan dhe Shqipëri apo Kosovë, duke nxjerr nga skena çdo politikan anti-amerikan me qëllim stabilitetin e projektit amerikan në Europën jug-lindore. Për ketë arsye Berisha dhe Meta janë totalisht pa perspektive dhe djegur në Shqipërinë e Bashkuar dhe Ballkanin euro-atlantik që ka gatuar Uashingtoni. /Gazeta SOT